Tiranë, 5 gusht 2022 – Gjykata e Vlorës dha masën e sigurisë në burg për ish-komisarin e policisë Arjan Tase pasi prokuroria e Vlorës ngriti akuzën e “vrasjes së kryer në formën e dashjes indirekte “ të 7-vjeçares Jonada Avdia.
Gjyqtarja Viola Canaj caktoi masën pas një procesi gjyqësor që zgjati më tepër se një orë në Gjykatën e Vlorës .
Sipas burimeve Tase u shpreh i penduar në Gjykatë duke u shprehur ngushëllimet familjarëve dhe duke i kërkuar falje policisë së shtetit.
Më 2 gusht Arjan Tase, shef i rendit në policinë e Elbasanit, tani i përjashtuar nga Polica e Shtetit, drejtonte një skaf në plazhin e Potamit në Himarë, i cili goditi për vdekje brenda perimetrit të sigurisë 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e kishte referuar ngarjen si “vrasje nga pakujdesia”, por sipas prokurorisë së Vlorës ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes së kryer në formën e dashjes indirekte”.
Sipas Prokurorisë së Vlorës “drejtuesi i mjetit lundrues rezulton se kishte patentë dhe ishte në dijeni të rrezikut që u sillte qytetarëve kur hyri në perimetrin e sigurisë së plazhit”.
Sipas Kodit Penal shqiptar “vrasja e kryer me dashje” dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Të enjten në mbrëmje qindra qytetarë dolën në protestë ne Tiranë para Ministrisë së Brendshme, për të kërkuar drejtësi për Jonadën.
Protestuesit kërkuan që kryeministrit Edi Rama të shkarkojë nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro.
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)