Tiranë, 7 shkurt 2023 – Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alda Klosin, ish-zyrtaren e Kryeministrisë që u arrestua të premten.
Alda Klosi u arrestua për shkak të dyshimeve se shuma e madhe e parave që u vodhën në banesën e saj nga pastruesja Rozeta Dobi nuk mund të justifikohet nga të ardhurat e saj.
E dyshuara për vjedhjen e parave, Rozeta Dobi, e cila ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë, ka deklaruar se Alda Klosi i ka kërkuar t’ia ruajë paratë, për shkak se ajo kishte konflikte me bashkëshortin.
Avokati i Alda Klosit, Ilijran Muho, deklaroi se paratë e vjedhura në banesën e klientes së tij u përkisnin familjarëve të saj.
Ai tha për mediat, pas caktimi të masës së sigurisë së Klosit, se paratë i ishin dhënë ish-zyrtares nga xhaxhai i tij për të arreduar një banesë që ai kishte blerë në Tiranë, dhe pjesa tjetër do t’i kalohej me bankë.
Sipas tij, Alda e kishte pikasur vjedhjen e kasafortës pasi e kishte bërë kallëzimin në polici, më 15 dhjetor.
“Në datën 15 dhjetor ajo pikasi humbjen e lekëve. Ajo kërkoi që të rikthehej po atë ditë për të dhënë dëshminë. Paratë kane shkuar në shtëpinë e Alda Klosit kur xhaxhai bashkë me nusen në Amerikë. Më pas paratë do të hidheshin me bankë sipas procedurave. Janë 30 mijë dollarë që janë lënë nga nusja e xhaxhait, të lëna për arredimin e një shtëpie që kishin blerë në Tiranë. Ajo ka konstatuar nga hapja e sirtarëve në orenditë e shtëpisë, që mungonin disa bizhuteri. Ky fakt është bërë i ditur në komisariatin nr.2. Aty është sqaruar se për çfarë është pyetur. Kur ka ardhur në shtëpi, ka parë se kasaforta mungonte. Më pas ka thënë se; kam diçka për të thënë.”, tha ai për mediat.
Sipas avokatit Muho, ish pastruesja Rozeta Dobi, e dyshuar për vjedhjen e parave dhe stolive në banesën e Alda Klosit, ka dhënë deklarata të ndryshme në të katër herët që është marrë në pyetje. Ai tha se prokurori ka sjellë si provë deklarimin e bërë nga Rozeta Dobi më datën 3 shkurt, ditën kur u ndalua Alda Klosi.
Ai tha se deklaratat e Dobit janë të pavërteta.
“Këto deklarime janë deklarime të cilat pohojnë që kemi të bëjmë me nje personazh që ka qëllim të lehtësojë sadopak pozitën e saj sepse tani është e zënë me presh në dorë si një person që ka vjedhur banesën e një shtetasi e kërkon të përfitojë një pozitë më të lehtë për djalin e saj”.
(r.m.)