Tiranë, 21 qershor 2021 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha të hënën masën e “arrestit me burg” për Prokurorin e Sarandës, Sali Hasa. Ai u arrestua të shtunën, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, si i dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Prokurori Hasa dyshohet për përfshirje në rastin e pushimit të një çështjeje penale ndaj Emiljano Miranit, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”.
Dyshohet se Hasa ka marrë ryshfet nga motra e Emiljanos, Elsona Papa, për të cilën gjykata ka vendosur “arrest shtëpie”.
Lidhur me këtë hetim, Gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për tre persona të tjerë, ndërsa një person do të hetohet nën masë më të lehtë sigurie.
Oficeri i policisë gjyqësore Napolon Hodaj dhe Emiliano Mirani e Julian Zera akuzohen për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa ish-eksperti mjeko-ligjor Hysen Korenica po hetohet nën masën e detyrimit me paraqitje, i dyshuar “për ekspertim të rremë”.
Provat e grumbulluara ndaj prokurorit, kryesisht përgjime, dolën ndërsa po hetohej nga SPAK-u që në shkurt të vitit 2020, një çështje për trafik narkotikësh.
(r.m.)