Arrestohen 7 të dyshuar lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika. Dyshohet se motivet e krimit kanë të bëjnë me punën e tij

 

Prishtinë, 21 prill 2025 – Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, e cila besohet se u krye për motive që ndërlidhen me punën e tij zyrtare, thanë autoritetet të hënën.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshimet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.

“Dyshimet e tona të deritanishme janë se vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Megjithatë, motivet do të qartësohen edhe pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe pas ekzaminimit të dëshmive të gjetura. Kjo mbetet të vërtetohet”, tha Hoxha.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe një 18-vjeçar, tregoi Hoxha.

Hoxha dhe Çerkini nuk treguan emrat e të arrestuarve, por thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte punuar në zgjidhjen e disa rasteve ku ata dyshoheshin për vepra penale.

“Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste”, tha Hoxha.

Policia i arrestoi ata gjatë një aksioni të gjerë mëngjesin e së hënës, ku kreu bastisje në nëntë lokacione në Kaçanik dhe në një fshat të Klinës, duke sekuestruar dy vetura, telefona mobilë, disa laptop, një armë zyrtare, maska, tyta armesh dhe fishekë.

Të arrestuarit janë duke u marrë në pyetje dhe prokuroria do të kërkojë nga gjykata të urdhërojë mbajtjen e tyre në paraburgim, tha Çerkini.

Arma me të cilën është kryer vrasja nuk është gjetur ende, theksuan ata, duke nënvizuar se hetimet për vrasjen e Likës do të vazhdojnë.

Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, më 1 prill rreth orës 23:00.

Ai ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e kishte dënuar vrasjen e policit, duke thënë se “sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

(Radio Evropa e Lirë) 

Comment

*