Arrestohen dhjetë zyrtarë komunalë në Pejë, Klinë e Istog

Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Dhjetë zyrtarë komunalë u arrestuan të enjten në disa komuna të Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Kyeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, dha më shumë detaje në një konferencë për media:

“Sot kemi shkuar në bastisje në tri komuna: Pejë, Klinë, Istog. Me këtë rast janë arrestuar dhjetë persona, zyrtarë, kryesisht drejtorë të Drejtoratit për Urbanizëm, dhe inspektorë – me dyshimet fillestare për veprën penale: keqpërdorim i autoritetit apo pozitës zyrtare”.

Prokuroria Themelore në Pejë tha se ka bazë të mjaftueshme për të vazhduar më tutje hetimet rreth këtij rasti.

Më herët, Prokuroria në Pejë tha se bastisjet po kryhen nga Policia e Kosovës në Pejë, Klinë dhe Istog, pas dyshimeve se disa zyrtarë komunalë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, lidhur me disa ndërtime të paligjshme.

“Për këto veprime në terren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, tha Prokuroria Themelore në Pejë.

(REL)