Arrestohen dy të dyshuar për shpërndarjen e fletushkave që bënin “thirrje për rezistencë”

Prishtinë, 15 shkurt 2024 – Policia e Kosovës ka ndaluar dy të dyshuar lidhur me rastin e shpërndarjes së disa fletushkave në Mitrovicë të Veriut, përmes së cilave u bë “thirrje për rezistencë”.

Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se autoritetet e rendit janë në kërkim të një të dyshuari të tretë.

Gjatë aksionit policor, që u zhvillua pasditen e së mërkurës, ku u ndaluan G.K. (1978) dhe D.S. (1971), u bastisën edhe katër lokacione në Mitrovicë të Veriut.

Të ndaluarit, sipas Elshanit, do t’i nënshtrohen intervistimit lidhur me dyshimet se kanë shpërndarë fletushkat.

Më 13 shkurt, policia kishte bërë të ditur se në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, kishin hasur në fletushka që bënin “thirrje për rezistencës” dhe nxitje të urrejtjes”. Sipas autoriteteve, këto fletushka ishin shpërndarë gjatë dhe pas një proteste të serbëve në Mitrovicë të Veriut të mbajtur më 12 shkurt, të cilët kundërshtuan vendimin për ndalimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në Kosovës.

Fletushkat, që ishin nënshkruar nga “Mbrojtja Popullore”, të cilat ishin shpërndarë në kanale të ndryshme në Telegram, përmbanin udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj policisë së Kosovës. Ndër të tjera, në këto fletushka, thuhej se policia e Kosovës duhet të qëllohet me ndonjë mjet, të pështyhen pjesëtarët policorë e të ofendohen. Pastaj, të thyhen makinat policore me ndonjë mjet si dhe jepen instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e këtyre fletushkave të shpërndara në rrjetin social, Telegram.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, deklaroi se kushdo që i ka bërë këto veprime, ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë “në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme”.

(REL)