Beograd, 18 korrik 2024 – Ivica Daçiq, zëvendës-kryeministër e ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, ka njoftuar për arrestimin e dy personave të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së policit në Lloznicë.
Ai ka thënë se një burrë me inicialet I.R. është arrestuar në Bijelinë, në Republika Sërpska të Bosnjës e Hercegovinës, për transportimin e autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa bashkëshortja e tij, me inicialet I.R. është arrestuar në Mlladenovc të Serbisë, si ndihmëse. Sipas tij, I.R. është I dyshuar për transportimin e autorit nga Presheva për në Lloznicë.
“Në Bijelinë sot pasdite, në bashkëpunim me policinë e Republikës Sërpska, është arrestuar Z.R., i lindur më 1985, në bazë të dyshimit se e ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë. Gjithashtu, është arrestuar si ndihmëse në këtë rast, bashkëshortja e tij, I.R. në Mlladenovc”, ka thënë Daçiq, transmeton N1.
Në kërkim të autorit janë vënë forca të mëdha të policisë së Serbisë. Në kërkim janë vënë edhe forcat e policisë në Republikën Sërpska, në Bosnjë e Hercegovinë, pasi dyshohet se personi në kërkim mund të ketë kaluar kufirin.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur një pasaportë e Kosovës dhe një dokument gjerman identifikimi. Pasaporta është e shtetasit kososovar Artan Hajrizi, vëllait të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës para rreth dy javësh.
Artani është paraqitur vetë në stacionin policor në Gjermani, për të dëshmuar se nuk ka asnjë lidhje me rastin e vrasjes së policit në Serbi. Ai ka thënë se vëllai i tij, Fatoni, ka qëndruar dy ditë tek shtëpia e tij dhe ia ka vjedhur dokumentet e tij personale.
(r.m.)