Prishtinë, 3 shtator 2022 – Gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer tri vepra, ndër to atë të trafikimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Vepra për trafikim dyshohet të ketë ndodhur në qershor. Kjo është vepër e ndarë nga dyshimi për dhunim që ka ndodhur në gusht.
11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar nga pesë persona më 27 gusht.
Në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë e Kosovës, më 3 shtator, thuhet se më 2 gusht janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët janë dërguar në mbajtje prej 48-orësh.
Të gjashtë personat e dyshuar, të moshës madhore, dyshohen për tri vepra penale në qershor, në periudhën kur e mitura, sipas policisë dhe prokurorisë, ishte raportuar si person i zhdukur.
“Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi” janë veprat për të cilat ata dyshohen.
“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa për pesë të dyshuarit për dhunim, Autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej nga një muaji për secilin.
Për rastin më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.
Një ditë pas dorëheqje ka dhënë edhe Ali Gashi, i cili ka udhëhequr Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar edhe për dy shkarkime.
“Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës”.
Shoqëria civile dhe shumë qytetarë kanë shprehur mllef lidhur me këtë rast dhe më 30 e 31 gusht janë organizuar dy protesta në Prishtinë me kërkesa për mbrojtje të grave dhe luftim të dhunës ndaj tyre.
(REL)