Prishtinë, 26 shtator 2023 – Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën në mbrëmje, në një hotel në fshatin Banjskë të Zveçanit, janë arrestuar edhe dy persona të dyshuar për lidhje me grupin e sulmuesve ndaj policisë së Kosovës. Në zonën e fshatit janë zbuluar e konfiskuar disa automjetete e makina të rënda si edhe sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh ushtarake.
“Operacioni policor është ende duke vazhduar dhe, si rezultat, në një hotel ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia specifikoi edhe automjtetet, armët e pajisjet dhe gjërat tjera të konfiskuara në zonën e fshatit Banjskë.
“Mjetet e konfiskuara me 25.09.2023 përbëjnë: një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe armësh e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm), një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelekë antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë disa nga armët e konfiskuara janë gjetur në Manastir, ku është gjetur edhe një helmetë e Policisë së Kosovës, e cila thuhet se është marrë nga vendi ku është vrarë reshteri policor Afrim Bunjaku.
“Vlen të theksohet se dy armë të gjata AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e PK-së e cila është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor. Policia e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim. Njëkohësisht njësitet policore në rrethanat e krijuara në zonën e fshatit Banjskë, po qëndrojnë afër qytetarëve, duke iu ofruar siguri dhe duke iu mundësuar e ofruar ndihmë sipas nevojave dhe kërkesave të banorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi shoqërohet me foto të automjeteve, armëve dhe pajisjeve të konfikuara të hënën në mbrëmje.
(r. m.)