Arrestohen edhe katër persona lidhur me rastin “Brezovica”, mes tyre edhe ish-sekretari i MI-së

Prishtinë, 26 maj 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se edhe katër persona janë arrestuar lidhur ne rastin “Brezovica”. Në mesin e tyre është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës.

Në njoftim thuhet se Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë arrestuar në bazë të dyshimit se kanë kryer veprat penale: “Marrje e ryshfetit”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Dhënie e ryshfetit”. Të gjithë të arrestuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar: pushkë e gjuetisë, revole, telefona celularë, laptopë dhe dokumente të ndryshme.

Aksioni i sotëm policor është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Ky aksion është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me dhënie të lejeve të ndërtimit në Brezovicë, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Sharrit. 

(r.m.)