Arrestohen në Tiranë dy qytetarë të Kosovës të dyshuar për shpërndarje droge

Tiranë, 15 gusht 2023 – Në Tiranë janë arrestuar pesë persona, përfshirë dy qytetarë të Kosovës, mbi dyshimet për shpërndarje të drogës, njoftuan të martën autoritetet policore në Shqipëri. Në mesin e të arrestuarve është edhe një anëtar i partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha më 15 gusht, në një konferencë për media, se arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi disamujor në kuadër të operacionit të koduar “PUNISHER 2”.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat [e drogës] nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me vetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish”, tha Vocaj.

Tre prej tyre janë shtetas të Shqipërisë, ndërsa dy të tjerët janë shtetas të Kosovës. Ata dyshohen se shpërndanin ekstazi në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi trafikonin lëndën narkotike nga Kosova në Shqipëri.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, i cili është asamblist i Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Prishtinës.

Sekretari për media dhe komunikim i Lëvizjes Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një komision i partisë ka hapur rast disiplinor ndaj Mujecit.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, tha Manxhuka.

Të dyshuarit janë kapur me një dërgesë me lëndë të dyshuar narkotike prej 11.300 tabletave ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogram, që ka vlerën e rreth 400 mijë eurove në treg.

Vocaj bëri të ditur se janë siguruar provat ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona.

Të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banor i Prishtinës, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banorë të Tiranës.

Përveç tabletave të ekstazisë MDMA, atyre iu sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe pesë telefona celularë. 

DETAJET E OPERACIONIT

Në janar të këtij viti, është finalizuar operacioni policor i koduar “PUNISHER”, në kuadër të cilit u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të veprimeve të thelluara në drejtim të hetimit të furnitorëve për grupin e arrestuar në janar, kanë rënë në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike, nga Kosova në Shqipëri.

Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit, nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona.

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe

Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.

Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.

Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

(r.m.)