Ushtruesi i detyrës së prokurorit në Ulqin, siç mësohet jo-zyrtarisht, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve që dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriqan, ku një shtetas shqiptar është keqtrajtuar.
Siç mësojmë, policët e arrestuar janë me inicialet D.SH. dhe N.B.
Drejtoria e Policisë bëri të ditur se policët e arrestuar akuzohen për veprën penale të keqtrajtimit.
“Veprën penale të lartpërmendur, siç dyshohet, e kanë kryer zyrtarët policorë më datë 15.01.2023, në vendkalimin e përbashkët kufitar Sukobin – Muriqan, duke përdorur forcë të tepruar gjatë ushtrimit të kompetencave zyrtare ndaj shtetasve të huaj”, njofton Drejtoria e Policisë.
Të kallëzuarit penalë do të dërgohen te prokurori kompetent i shtetit për veprime të mëtejshme.
Kujtojmë se kemi të bëjmë me një video ku një punonjës policie i Sektorit të Policisë Kufitare shihet duke ushtruar dhunë fizike ndaj një shtetasi shqiptar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, duke folur për rastin me policinë kufitare, ka thënë se MPB-ja ka nisur të gjitha procedurat ligjore që nga dita kur është njoftuar me rastin.
Ai shtoi se nëse ka elementë, i bën thirrje prokurorisë që të përfshihet në atë rast.
Më herët, Komisioni i Etikës njoftoi se një video e asaj ngjarje u shfaq në mediat malaziase më 17 janar dhe se po atë ditë kryetari i atij organi u dërgoi anëtarëve iniciativë për të vlerësuar etikën e veprimeve të punonjësve të policisë së Sektorit të Policisë Kufitare.
Këshilli për Kontrollin Qytetar të Punës Policore në Mal të Zi, me iniciativë të ministrit Axhiq, do të kontrollojë sjelljen e punonjësve të policisë së Sektorit të Policisë Kufitare. Këshilli për Kontrollin Qytetar të Punës së Policisë bëri të ditur se në video shihet qartë sjellje joprofesionale.
Këshilli theksoi se është kërkuar nga drejtori i Drejtorisë së Policisë, Zoran Brgjanin, që të deklarohet.
Siç njoftuan, nga Brgjanini është kërkuar të deklarojë se cilat masa dhe veprime të sakta janë ndërmarrë në lidhje me incidentin për të cilin është njoftuar Drejtoria e Policisë më 15 janar dhe nëse është konsultuar me prokurorin kompetent të shtetit.
Si dhe nëse janë larguar nga shërbimi deri në njoftimin e dytë oficerët e policisë që janë të lidhur me sjellje dukshëm joprofesionale”, thuhet në njoftim. (RTV Mali i Zi)