Arrestohen tre të dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Prishtinë, 12 prill 2023 – Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të mërkurën në mbrëmje se janë arrestuar tre personat e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit “Gazeta Metro” në Prishtinë.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se tre personat e arrestuar, me inicialet L.D, K.H dhe O.H., dyshohen se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’. Ata janë dërguar në mbajtje dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

Gazetari Syla u sulmua të martën në mbrëmje dhe u trajtua për lëndime në kokë në spitalin e Prishtinës.

Në një postim në rrjetet sociale, Syla ka shkruar se ai është sulmuar fizikisht derisa po hynte në një kafene në kryeqytet, nga tre persona të cilët i ka  quajtur “islamikë fanatikë”. Ai ka thënë se dyshon që sulmi ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat, sipas tij, “e kanë nxitur komunitetin e militantëve islamikë të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

“Ajo që më shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimet, përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit. Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik që sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrin të pranojë humorin dhe fjalën e lirë, shpalos te ata zymtësinë e theksuar te mendimit dhe mentalitetit të tyre”, ka shkruar Syla.

“Frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve”, ka theksuar ai.

Sulmi ndaj gazetarit Syla është dënuar ashpër nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, nga Federata e Gazetarëve të Evropës dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e cilësuar si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së medies në Kosovë.

Sulmi është dënuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti e ka thënë se sulmi ndaj gazetarit Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, kathënë Kurti.

(r.m.)