Policia tha se operacioni i koduar “Alfa”, u përqendrua për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike
Knid Ndrenika
Policia në Shqipëri njoftoi se në bashkëpunim me Kosovën përfundoi me sukses ndërprerja e një rrugëtimi të trafikut të lëndëve narkotike.
Rreth orës 20 e 30 të mbrëmjes të së mërkurës, policia në Tiranë njoftoi se u arrestua një persaon, të cilit iu sekuestrua 8 kilogramë e 691 gramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua përveç lëndës narkotike të dyshuar kanabis, edhe një autoveturë “Alfa Romeo”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, autoritetet doganore të Morinës, si dhe Policinë e Kosovës.
Policia tha se operacioni i koduar “Alfa”, u përqendrua për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në vazhdim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Kosovës, është organizuar dhe finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Alfa.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. B., 30 vjeç, banues në Shkodër.
“Në dalje të Pikës Kufitare Morinë, gjatë kontrollit në vijën e dytë, në automjetin tip “Alfa Romeo” , me drejtues shtetasin S. B., në gomën rezervë u gjetën të fshehura 8 pako të mbështjella me celefon, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale 8 kilogramë e 691 gramë”-njoftoi policia.
Ndërkaq, hetimet vazhdojnë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës, për dokumentimin ligjor të përfshirjes të personave të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.