Arrestohet drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për tri vepra penale

Prishtinë, 19 prill 2023 – Prokuroria Speciale ka njoftuar se të mërkurën është arrestuar kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

Kontrata ishte nënshkruar për një periudhë të shkurtër. Më 27 janar ishte bërë thirrja, ndërsa më 3 shkurt ishte lidhur kontrata.

Kompania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët për riparimin e bllokut A5, ndërsa kompania Bujar B. Shala B.I., sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, është regjistruar më 25 janar të 2022-s ndërsa aktivitet primar e ka tregtinë me pakicë.

Kontrata tjetër është nënshkruar me një kompani për konsulencë ligjore, në vlerë prej 60 mijë eurosh, e vlefshme deri në prill të vitit 2024. Dyshohet se me këtë kompani Krasniqi ka konflikt interesi.

Njësia e veçantë e hetimeve e Policisë së Kosovës ka bastisur zyrën e të Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndryshme në Prishtinë që pronësi dhe të shfrytëzuara nga ai, për gjetjen e dëshmive për veprat penale për tëcilaat ngarkohet ai.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si: tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Koha raportoi se Krasniqi e ka ndërprerë intervistimin, me arsyetimin se nuk ndjehej mirë, por ka refuzuar të kontrollohet në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me arsyetimin se atje ka shumë pacientë. Ai ka kërkuar që kontrollin ta kryejë në ndonjë ordinancë private.

Por, policia e ka refuzuar kërkesën e tij dhe Krasniqi është dërguar në paraburgim.

(r.m.)