Prishtinë, 17 qershor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se më 17 qershor, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë –është arrestuar edhe një person që ka sulmuar gazetarët në veri të Kosovës.
Sveçla ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Dalibor Spasiq.
“Në vendin tonë demokratik, aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar pas këtij arrestimi, duke thënë se Spasiq “nuk është kriminel”, por punonjës shëndetësor në spitalin në Mitrovicë. Ajo e akuzoi ministrin Sveçla se po tenton ta “kriminalizojë” Spasiqin vetëm nëse shikon keq ndonjë gazetar.
Kjo zyrë që udhëhiqet nga Petar Petkoviq e ka dënuar edhe arrestimin e djeshëm të një qytetari serb që nga autoritetet e Kosovës akuzohet se i ka sulmuar gazetarët në veri
Edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka reaguar pas arrestimit të Spasiqit dhe ka kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Ajo ka thënë se, përrndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “do ta detyrojë të gjithë popullin serb të mbrohet nga sulmi i Prishtinës”.
“Është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë drejtpërdrejt dhe ta pengojë Kurtin të nisë një luftë, sepse me veprimet e tij ai do ta detyrojë të gjithë popullin serb të mbrohet nga sulmi i Prishtinës dhe atëherë do të ishte një rrugë pa kthim, që asnjë njeri normal nuk e dëshiron, sepse ishte katastrofike për të gjithë në këto zona”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Më 16 qershor është arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.
Po më 16 qershor, gazetarë të mediumeve të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.
(r.m.)