Arrestohet edhe një person në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Prishtinë, 9 dhjetor 2023 – Policia e Kosovës e ka arrestuar të shtunën edhe një person të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademaj.

Piersoni i arrestuar dyshohet që ia ka shitur dorasit të dyshuar armën më të cilën është kryer vrasja e 30 vjeçares.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Ju konfirmojmë se, me urdhër të prokurorit të rastit, është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale ‘ importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka thënë Ulaj për Telegrafin.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se i arrestuari është Tomë Doda (1974), nga një fshat i komunës së Gjakovës.

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri më tash janë arrestuar katër persona.

Në mesin e të arrestuarve është edhe bashkëshorti i Liridonës së ndjerë, Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka porositur vrasjen dhe e ka paguar autorin e vuasjes.

Granit Plava është i dyshuari për kryerjen e vrasjes, në shkëmbim të shpërblimit monetary.

Kushtrim Kokalla është i dyshuar për pjesëmarje në planifikimin dhe organizimin e vrasjes.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në mbrëmje, në Prishtinë. Ajo u vra në veturën që drejtohej nga bashkëshorti i saj. Në veturë gjendeshin edhe dy fëmijët e tyre, njëri 6 vjeç e tjetri 4 vjeç.

Autorët kishin planifikuar që vrasja të inskenohej si grabitje e armatosur me pasojë vrasjen.

Motivi i vrasjes është ende i panjohur.

(r.m.)