Arrestohet edhe një serb i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut “për përfshirje në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it” në Zveçan, më 29 maj, ku mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Në Twitter është publikuar një videoregjistrim i aksionit të policisë që duket të jetë regjistruar nga kamerat e sigurisë së ndonjë objekti në afërsi.

https://twitter.com/KosovanMan/status/1672172224231473154?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1672172224231473154%7Ctwgr%5Eb30f25babea592c524d29d20172aa7de37a0d867%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.danas.rs%2Fvesti%2Fpolitika%2Fsnimak-najnovijeg-hapsenja-srbina-na-kosovu-video%2F

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka identifikuar të arrestuarin si Nenad Orliq. Ajo ka thënë se arrestimi i tij është “dëshmi” se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon”.

Ndaj arrestimit të Orliqit ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Ajo e ka cilësuar arrestimin si “rrëmbim” të “një tjetër serbi të nderuar”.

Lista Serbe ka kërkuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe nga Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) që “të vendosin forcat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët”.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është zotuar se “secili që ka organizuar apo ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”.

Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte njoftuar dy të arrestuarve dy ditë më parë për sulmet në Zveçan u ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe, kanë filluar më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë filluan protestat kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave në ndërtesat komunale, të cilat janë përdorur edhe nga strukturat paralele të emëruara nga Serbia.

Më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviqin, i cili dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan, më 29 maj.

Një ditë më pas, tre pjesëtarë të Policisë kufitare të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Autoritetet serbe ua kanë shqiptuar atyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të enjten, më 22 qershor, ftoi në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimeve, Borrell tha se palët janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

(r.m.)