Arrestohet Jorgo Goro, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës

Tiranë, 24 mars 2024 – Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili doli humbës në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2023, është ndaluar të shtunën së bashku me katër persona të tjerë. Ndalimi i tyre konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, por nuk u bënë me dije veprat penale dhe arsyet për të cilat janë proceduar pesë të ndaluarit.

Goro ishte thirrur katër herë në SPAK në lidhje me dyshimet për shkeljen e barazisë në tendera, si edhe lidhur me disa investime në qytetin e Himarës, gjatë mandatit të tij të tretë të kryebashkikakut të Himarës.

Goro ishte thirrur në SPAK edhe më 5 tetor të vitit të kaluar, pak ditë pasi Fredi Beleri e kishte depozituar ndaj tij një kallëzim penal për abuzime të konstatura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, në periudhën 2019-2021. Por, Beleri e akuzon publikisht Goron edhe për shkelje të tjera.

Lidhur me kallëzimin e Belerit, në SPAK është pyetur edhe bashkëshorti ish-ministres Olta Xhaçka, Artan Gaçi, ish-deputet i PS.

Më herët SPAK e ka sekuetruar një tokë me sipërfaqe prej rreth 5 mijë metrash katror.

Goro, i cili garoi për një mandat të katërt nën siglën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës në maj të vitit të kaluar, vijoi ta ushtronte detyrën megjithëse fitues u shpall rivali i tij, Alfred Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale. Më 5 mars, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg, për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

(r.m)