Arrestohet kandidat i opozitës në Himarë, Alfred Beleri, i dyshuar për blerje votash

Tiranë, 12 maj 2023 – Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Dhinonisios Alfred Beleri u arrestua pak pas mesnatës së të enjtes sëbashku me një bashkëpunëtor të tij me akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”. Sipas procesverbalit të arrestimit të dalë nga policia, të cilin BIRN e disponon, Beleri “është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës”. Bashkë me të është arrestuar dhe një person i identifikuar si Pandeli Kokoneshi.

Avokati i Belerit, Romarjo Meminaj i tha BIRN se arrestimi në flagrancë ishte i paligjshëm dhe i cilësoi akuzat “të pavërteta dhe pa asnjë bazë”.

Një burim në dijeni të hetimeve i tha BIRN se Beleri ishte denoncuar në Prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para për vota. Beleri ishte në hetim prej datës 8 maj sipas tij dhe si prova ishin marrë pesë regjistrime audio dhe dy video.

“Beleri në bisedë me të infiltruarin i ka ofruar këtij të fundit para dhe dokumente greke në këmbim të votave që do të mblidhte,” tha burimi në kushtet e anonimatit. Më pas, Beleri akuzohet se e ka dërguar të infiltruarit te i arrestuari tjetër, ku sipas personave të përfshirë në hetim është bërë edhe shkëmbimi i parave.

Në njoftim për shtyp, Prokuroria vuri theksin te metodat speciale në hetim. “Bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix” është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve”, njoftoi Prokuroria.

Arrestimi i Belerit solli reagime të menjëhershme nga opozita. Kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që shkoi menjëherë në komisariatin e policisë së Himarës e cilësoi arrestimin politik.  Dule tha se Beleri ishte rrëmbyer në restorantin e tij dhe e cilësoi arrestimin të porositur nga Rama.

“Zoti Beleri duhet të lirohet menjëherë,” tha Dule.

Ai e konsideroi aktin të paprecedentë dhe kërkoi monitorim nga komuniteti ndërkombëtar për zgjedhjet në Himarë.

Reagim të ngjashmëm bëri edhe Sali Berisha, që drejton koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Berisha akuzoi kryeministrin se kishte urdhëruar arrestimin e Belerit duke akuzuar atë për veprime mafioze në tokat e Himarës. “Është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës”, tha Berisha në një konferencë shtypi me gazetarët.

Vetë kryeministri reagoi në rrjetet sociale duke këmbëngulur se nuk kishte lidhje me arrestimin. “Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë”, tha Rama. Ai po ashtu tha se rasti ishte “një sprovë e madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve”, duke vënë në dukje se “shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar”.

Reagim të menjëhershëm, për arrestimin e Belerit pati edhe nga qeveria greke. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bëri thirrje, nga një takim i tij elektoral në Lesbos, për lirimin e Belerit. Mitsotakis, tha sipas faqes Ertnews.gr, se Greqia nuk do të toleronte sa i përket mbrojtjes së të drejtave të minoritetit dhe shtetit të së drejtës. “Unë dua që këtu nga Lesbos t’i dërgoj një mesazh mikes sonë, Shqipërisë. Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, citohet Mitsotakis.

Ndërkohë, pas një takimi në Ministrinë e Jashtme, ambasadorja e Greqisë në Shqipëri ka shkuar në Vlorë ku pritet të takojë avokatin e Belerit dhe të vizitojë zyrat e policisë. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme tha se nuk ka pasur notë proteste nga Greqia, por është shprehur shqetësim me gojë për arrestimin.

Dhionisios Alfred Petro Beleri është kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garon për mandatin e tij të katërt. I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ai ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave.

Beleri sipas policisë është i dënuar më herët me tre vjet burg për “nxitje të urrejtjes nacionale”. Ai është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste si i përfshirë në atë që njihet si “Masakra e Peshkëpisë” në vitin 1994, kur një grup i armatosur sulmoi një postë kufiri të Shqipërisë duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe plagosur tre të tjerë. Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi për shpifje ndaj Taulant Ballës për këtë akuzë.

(Reporter.al)