Arrestohet në Mal të Zi ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë së Kosovës, kapet me 50 kg marihuanë

Podgoricë, 15 shkurt 2022 – Ish-sekretari i Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Reci, është arrestuar në Mal të Zi pasi është kapur me 50 kilogramë marihuanë, njofton gazeta malazeze “Vijesti”.

Reci është arrestuar të martën në mëngjes, rreth orës 3:30, në terminalin e daljes.

Policia njoftoi se zyrtarët policorë e doganorë, gjatë kontrollit të një veture “Audi” me targa të Kosovës, të drejtuar nga një shtetas i Kosovës, i kanë gjetur shtatë pako me marihuanë.

“Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganës, sot në mëngjes, rreth orës 3:30, kanë parandaluar kontrabandën e lëndës bimore të dyshuar si lëndë narkotike e llojit marihuana, me peshë rreth 48.2 kilogramë. Është arrestuar B.R. nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike’. Masat dhe veprimet e mëtejme policore e prokuroriale për këtë rast janë nën vazhdim e sipër”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Burim Reci ishte emëruar sekretar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ai ishte larguar dhe ishte kthyer disa here në këtë detyrë. Herën e fundit ai u largua nga kjo pozitë në vitin 2020.

This image has an empty alt attribute; its file name is Burim-Reci.jpg

(r.m.)