Prishtinë, 15 prill 2025 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar edhe një person që dyshohet se është përfshirë në dhunën kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 2023.
“Arrestohet edhe një nga terroristët që dhunshëm sulmoi pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, disa prej të cilëve mbetën me pasoja të përjetshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cënuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar. Mbi ta do të veprohet pa asnjë kompromis siç presim që edhe drejtësia të veprojë në linjë të tillë. Republika jonë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë zonë e rehatisë për kriminelë e terroristë”, ka theksuar ai.
Sveçla nuk e ka publikuar identitetin e të arrestuarit as nuk ka dhënë hollësi mbi arrestimin.
93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pësuan lëndime serioze trupore në sulmin me mjete të forta dhe me mjete piroteknike të protestuesve serbë, pranë ndërtesës së komunës së Zveçanit, më 29 maj të vitit 2023. Disa prej tyre pësuan lëndime të cilat u shkaktuan edhe invaliditet.
NATO ka kërkuar që autorët e dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të nxirren para drejtësisë. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuza ndaj disa personave të përfshirë në sulmet ndaj KFOR-it.
Dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në pjesën veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët. KFOR-i ishte vënë në mbrojtje të ndërtesave zyrtare.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmet në Zveçan, duke thënë se ato ishin kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”. Por, Serbia e ka mohuar këtë akuzë, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte t’i shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.
(r.m.)