Arrestohet një serb që u kap në veri duke futur në Kosovë 6.300 fishekë nga Serbia

Prishtinë, 21 shkurt 2023 – Policia kufitare e Kosovës, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Serbisë, që drejtohej nga një serb, në një fshat të Leposaviqit, ka zbuluar dhe ka konfiskuar 6,300 fishekë që po futeshin në Kosovë nga Serbia.

“Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë, të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia, gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimine e Policisë së Kosovës.

Policia thekson se vazhdon me aktivitetet e shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale, përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit.

(r.m.)