Arrestohet presidenti i shkarkuar i Koresë së Jugut

Seul, 15 janar 2025 – Autoritetet e Koresë së Jugut arrestuan presidentin e shkarkuar Yoon Suk Yeol herët të mërkurën, njoftoi agjencia kundër korrupsionit e atij vendi, pas një përballjeje të tensionuar prej pesë orësh në kompleksin e tij malor të ruajtur shumë në Seul.

Sipas mediave lokale, autokolona me zotin Yoon arriti në zyrën e agjencisë kundër korrupsionit, ku ai do të merret në pyetje në kuadër të një hetimi në lidhje me shpalljen jetëshkurtër të gjendjes së jashtëzakonshme muajin e kaluar.

Autoritetet tani kanë 48 orë për të vendosur nëse do të paraqesin një urdhër arresti zyrtar ose të lirojnë zotin Yoon, ndalimi i të cilit shënon herën e parë që një president në detyrë i Koresë së Jugut merret në paraburgim nga policia.

Për javë të tëra, zoti Yoon ka qenë i izoluar në rezidencën e tij presidenciale, e cila ishte fortifikuar me tela me gjemba dhe një barrikadë shumështresore me autobusë dhe automjete të tjera.

Rreth 1,000 oficerë policie u mobilizuan të mërkurën, raportuan mediat lokale. Autoritetet kishin paralajmëruar se ishin të përgatitur të përdornin taktika më të forta sesa kishin bërë në përpjekjen e tyre të dështuar për të arrestuar zotin Yoon dy javë më parë.

Paralajmërimet kishin ngritur frikën nga dhuna, qoftë midis forcave të sigurisë, qoftë mes policisë dhe protestuesve. Për javë të tëra, rruga jashtë kompleksit të zotit Yoon është mbushur me demonstrues, kryesisht mbështetës të presidentit konservator të shkarkuar , i cili është zotuar të “luftojë deri në fund”.

Mëngjesin e së mërkurës, rreth 30 ligjvënës të partisë në pushtet formuan një zinxhir njerëzor jashtë hyrjes kryesore të rezidencës së zotit Yoon për të parandaluar arrestimin e tij, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.

Megjithatë, Shërbimi i Sigurisë Presidenciale, i cili gjatë përpjekjes së fundit të ndalimit mbrojti me trupa zotin Yoon, nuk bëri shumë rezistencë këtë herë, thanë hetuesit.

Në një konferencë shtypi, agjencia kundër korrupsionit e Koresë së Jugut tha se nuk pati “praktikisht asnjë” përplasje të mërkurën.

Në një video regjistrim që u transmetua ndërsa ai po largohej nga kompleksi, zoti Yoon e quajti hetimin të paligjshëm, por tha se ai po vepronte në përputhje me të për të parandaluar gjakderdhjen.

Zoti Yoon e kishte arsyetuar dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me nevojën për të çrrënjosur “forcat antishtetërore” dhe “mbrojtjen e rendit demokratik kushtetues”.

Gjykata Kushtetuese e vendit duhet të mbështesë shkarkimin, që ai të hiqet nga detyra.

Zoti Yoon përballet poashtu me një hetim penal për kryengritje dhe abuzim me pushtetin. Megjithatë, ai i ka kundërshtuar kërkesat e shumta për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje si pjesë e atij hetimi, duke i bërë autoritetet të kërkojnë një urdhër arresti.

Avokatët e zoti Yoon i kanë quajtur përpjekjet për arrestimin e tij si të motivuara politikisht. Ata gjithashtu argumentojnë se gjykata që lëshoi urdhrin e arrestit nuk kishte juridiksion për ta bërë këtë dhe se agjencia kundër korrupsionit që udhëheq hetimin, nuk ka mandat për të hetuar presidentin për kryengritje.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*