Arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi për krizën në veriun e Kosovës

Bruksel, 30 shtator 2021 – “E kemi një marrëveshje. Pas dy ditë negociatash intensive, një marrëveshje për shtensionimin e dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, tha i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

 

Në një dokument të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

  • Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
  • Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
  • Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Marrëveshja e sotme pritet t’i jap fund situatës në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë tash e njëmbëdhjetë ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.

Qeveria e Kosovës ishte pajtuar me ofertën e komandantit të forcave paqeruajtëse Franco Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, oferta ishte refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës

(VOA / REL)