Arrijnë në Kosovë edhe 200 trupa britanike dhe 130 rumune, shtohet kontrolli i kufirit me Serbinë

Prishtinë, 19 tetor 2023 – Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, njoftoi se një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe mbi 130 trupa shtesë nga Rumania kanë arritur në Kosovë dhe i janë bashkuar kontingjentit të Britanisë së Madhe.

Tashmë në Kosovë janë dislokuar 400 trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, transmeton Telegrafi.

NATO tha se shtimi i trupave të KFOR-it “bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

“NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

https://www.facebook.com/NATOKFOR/posts/666146968950773?ref=embed_post

KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4.500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s.

(r.m.)