Artan Grubi tërhiqet nga politika pas përfshirjes në listën e zezë të SHBA-së

Shkup, 11 dhjetor 2024 – Sekretari organizativ i BDI-së dhe ish-zv.kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar se tërhiqet nga politika dhe nga jeta publike.

Grubi ka njoftuar për këtë vendim të mërkurë, një ditë pas njoftimit se ai është futur në listen e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të përfshirjes në afera korruptive. Ai ka theksuar se gjatë veprimit politik është angazhuar për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për paqe e pajtim në rajon, për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim”, ka thënë ai.

Grubi ka thënë se vendimin që të tërhiqet nga politika e ka marrë për të kursyer familjen dhe integritetin e tij personal e politik dhe për të mbështetur liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”, ka thënë ai.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Gjithë veprimtarinë time publike jam angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për një rajon në paqe dhe të pajtuar, për integrimin e plotë në NATO, për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Këto janë vlera që nuk janë vetëm udhërrëfyesi im, por edhe obligimi që i kam ndjerë gjithmonë ndaj vendit dhe kombit tim.

Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët.

Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time.

Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij.

Edhepse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë.

Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti.

Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Unë mbetem gjithmonë i përkushtuar ndaj këtyre vlerave dhe do të jem në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët.

Me respekt dhe mirënjohje nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj në këto vite,

Artan Grubi

(r.m.)

Comment

*