Nga Ruben Avxhiu
Sot, kur ministri i Jashtëm serb, Daqiç i rikthehet propozimit për ndarje të Kosovës, kujtohet se ndarja është kundërshtuar jo vetëm nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët, por edhe nga Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, Artemije.
Kundërshtimi i Artemijes është i një dekade më parë, kur po vendosej statusi përfundimtar i Kosovës e kur – ashtu si tani – po flitej për ndarjen si zgjidhje.
Për habi të disave Artemije ishte në favor të pavarësisë, po për arsye të ndryshme nga të tjerët.
Një pavarësi e imponuar është më mirë se ndarja, argumentoi ai, sepse “çdo gjë që është e imponuar është e përkohshme. Vjen një ditë dhe imponimi ikën. Kurse ndarja është diçka për të cilën biet dakord. E gjërat që arrihen me marrëveshje janë të përjetshme”.
Sipas tij, pavarësia me detyrim është një lloj pushtimi dhe çdo pushtim i një trualli zgjat një periudhë kohe dhe pastaj mbaron.
Artemija sigurisht “harron” se për shumicën dërrmuese të popullatës në Kosovë pushtuesit janë serbët. Ishte pushtimi i tyre, regjimi i imponuar të cilit i skadoi data si u skadon data të gjitha pushtimeve.
Në teori, Artemije e ka të qartë këtë punë. Ai thjesht ngatërron me qëllim pushtuesin me të pushtuarin. Kosova u çlirua në 1999 dhe rrota e historisë nuk do të kthehet mbrapsht.
Shqiptarët gjithashtu, nuk e pranojnë ndarjen jo se i druhen një marrëveshje të përhershme si e paraqet prifti pushtues, po sepse është në kundërshtim me parimet e sistemit ndërkombëtar në botë, të cilit bëjnë sikur i betohen ditë e natë në Beograd. Kufijtë nuk mund të zhvendosen sipas përkatësisë etnike se pastaj edhe Serbia duhet të lëshojë Luginën e Preshevës e kështu me radhë.
As nuk janë marrëveshje vërtet të përjetshme si u përpoq ta shiste idenë Artemije 10 vjet më parë. Shqiptarët menduan se kishin një marrëveshje me serbët, në kuadrin e Jugoslavisë, kur gëzuan autonominë në vitin 1974. Mirëpo, 15 vjet më pas, serbët grisën paktin jugosllav dhe ia hoqën autonominë Kosovës.
Nuk janë marrëveshjet ato që e bëjnë historinë po vullneti dhe fuqia e popujve.
Në atë kohë, të vitit 2007, kur Kosova po kërkonte përfundimisht pavarësinë, kjo deklaratë e Artemijes në fakt vetëm na ndihmoi pavarësisht nga natyra pasive-agresive e lëshimit të saj nga peshkopi që në atë kohë jetonte në Dioqezën e Prizrenit.
Ai mund ta quante pushtim apo pavarësi të imponuar. Po çdo pavarësi është e imponuar. Sepse lirinë nuk ta fal askush. Serbia vetë u bë shtet i pavarur kundër dëshirës së perandorive që zotëronin tokat e banuara me serbë. Sa bukur harrohen të vërtetat kur kthehesh vetë në pushtues e kolonizator. Harrohen kisht katolike të kthyera në ortodokse, harrohet e kaluara barbare, harrohet e kaluara si ardhacakë, e kaluara si shërbyes të perandorisë turke duke përfituar nga marrëshja mes sulltanit dhe Patrikanës, si kolonë me punë nga shteti socialist jugosllav etj.
Historia me mite e legjenda të thurrura duke shtrembëruar të vërtetat ecën deri diku. Në fund, mizoria e regjimit fashist serb tregoi fytyrën e vërtetë të pranisë serbe në Kosovë. Një pushtim i imponuar që një ditë i erdhi fundi. Ashtu si ikja me turp i priftit të dështuar Artemije nga Kosova e pavarur në vitin 2010.