ARTISTI, ËNDËRR DHE ZGJIM DHE DASHURI NË PENELIN E PIKTORIT GJERGJ KOLA…

Visar Zhiti

Ai kap penelin dhe e ngjyen në blunë e një çasti, me qiell dhe ujra, i duhet ari i mëngjezit, me penel prek diellin, dhe tani rruga, ja, përvijimet e saj, hapat e bukur dhe gjurmët si njolla shpresash, lulnajë dëshirash, bregu i ëndërrimeve, fytyra të jetës, sy e buzë, rini, puthje, mendim, rrudhat e mençurisë, vallja, që na bën bashkë, kostumet e popullit në vendlindje, në Ballkan, një copëz muzgu se nga bie, frushullima e erës mbi pemë si frymëzimi, një ujvarë yjesh, etj, etj.

Është Gjergj Kola, nuk mund të rrijë pa pikturuar, një peizazh shpirti që nis trojeve të atdheut, Shqipërisë së tij dhe vazhdon, në Greqinë fqinje dhe kalon detin, në Italinë rilindase, ku jeton dhe punon ndërkaq, ikën vepra, në Francë e  Gjermani etj, dhe pas Europës, përtej oqeanit ka arritur në Amerikë… ka marrë atë famë, thonë kritikët, që të japin arritjet në art, ato të vërtetat, pasioni, që duket sikur zbret nga misteret lart, që nxit punë të palodhur, shenjojnë karakterin artistik, por dhe të përditëshmin, modesti dhe mirësi bashkë, dhimbjet dhe dashurinë mbi të gjitha…

Ekspozitat e Gjergj Kolës janë të shumta, që nga Lezha, ku la shtëpinë prindërore e në kryeqytet në Tiranë, pastaj në Selanik e Athinë, pastaj në Romë, në Vatikan, brenda në kishë, me Shenjten Nënë Tereza e Papa Françeskun e Skënderbeun, Jugu kaltërosh e muralet në Veri, në Milano e në Limone sul Garda, ku ka shtëpinë tani si brenda një zambaku ujor, gruan dhe fëmijët, djali pikturon si i ati, të mbërrish në Paris, në Luver, dekorohet atje e në metropole të tjera, në tjetër kontinent,  në New Yorkun marramendës.

Dhe Gjergj Kola veç punon, piktura, piktura, piktura kudo, shkallëve, gishtrinjtë  e tij janë penela, fjalët e tij janë ngjyrat, lëvizjet e tij janë mbi telajot e ditëve dhe të netëve, realiteti i tij është kompozimi, miqtë janë personazhet, portretet në korrniza, dalin prej andej, shkojnë diku në një vegim takimesh dhe kthehen prapë…

Ekspozita e katalogë e zogj e një florë mrekullish, albume si për çdo piktor të madh e video të shumta e artikuj gazetash, murale në qytet e çmime e medalje, jo vetëm në Itali e Greqi, por dhe në Francë, etj, etj dhe së fundmi:

NË GJERMANI, MEDALJE ARGJENDI.

Gjergj Kola – i Ftuar Nderi  në Berlin, në ekspozitën e rëndësishme me pjesënarrjen e shumë artistëve nga e gjithë bota, në Art Gallery Zeidler, Artcom Expo International… sukses i jashtëzakonshëm në Gjermani, i bënin jehonë mediat… piktori Kola u përfaqësua me 15 vepra… dhe Medalje Argjendi për akuarelin ‘Artisti’. …është një i ri aty, real dhe emblematik, ‘Studenti I përhershëm i filozofisë’, Atjon Zhiti, që dhe ai pikturon, rikrijon prindërit dhe botën përreth, është pjesë e boceteve të një kompozimi monumental mural për një nga muzeumet e artit në Lombardi.

Sa fantazi ka ky kompozim, natyrshmëri dhe lirizëm, mendim, skena, përveç protagonistit ëndërrimtar me fletë ndër duar, që i studion, pra piktorit brenda në pikturë, ka dhe personazhe të tjerë, brenda tablosë një tjetër tablo, dy portrete, klasikët baba e mama, t’i ribësh në telajon mbi kambecët nëpër lulet poshtë këmbëve, që rriten në shpirt, një copëz toke me sigurinë e lumturisë dhe ja, një vajzë shtat-hedhur si prej shiu, dashuria me flaut, piktura ka dhe muzikë të heshtur, një kolorit të lehtë parajsor, që i ngjan fundit të një ëndrre në prag të një zgjimi…

Arti është ëndërr dhe zgjim dhe dashuri, prania e tyre hyjnore.

Akuareli “Artisti” i piktorit Gjergj Kola dhe fragmente të veprës.