Artisti serb: “Mbajeni mend serbë, armiku juaj më gjakatar është Vuçiqi!”

Beograd, 5 gusht 2022 – llustratori, grafisti dhe karikaturisti serb, Dushan Petriçiq, ka bërë një deklaratë të forte akuzuese për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Petriçiq ka thënë se serbët nuk i kanë armiq as kroatët, as shqiptarët, as malazezët, as Bashkimin Evropian, as Amerikën…, por Vuçiqin.

“Për të satën herë dua t’ua përcjell serbëve këtë mesazh: mbajeni mend një herë e përgjithmonë – nuk i keni armiq kroatët, nuk i keni armiq shqiptarët, nuk i keni armiq malazezët, as Bashkimi Evropian, as Amerikën! Armiku juaj më i madh, më gjakatar, quhet Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petriçiq, për gazetën beogradase “Danas”.

Ai ka theksuar se Vuçiqi dhe “banda e tij” po e shkatërrojnë ekzistencën e qytetarëve të Serbisë.

“Sheshelët, Vulinët, Bërnabiqët, Gjukanoviqët, Vuçeviqët e shumtë… e kanë sakatuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Serbisë dhe e kanë rrezikuar ekzistencën e familjeve tuaja e të pasardhësve tuaj. Ndaluni një çast, vini gishtin në kokë dhe përpiquni ta kuptoni këtë fakt të thjeshtë. Dhe, në qoftë se përmes ndonjë mrekullie e kuptoni këtë, merreni çështjen në duart tuaja dhe eleminojeni përfundimisht këtë të keqe. Vetëm kështu Serbia ka shanse të mbijetojë dhe të dalë nga kjo humnerë e thellë dhe e errët”, ka theksuar Petriçiq.

Artisti serb ka reaguar kështu ndaj deklaratës shokuese të kryetarit të Novi Sadit, Millosh Vuçeviq. Të enjten, në Novi Sad, në shënimin e 30 vjetorit të operacionit “Stuhia” të forcave kroate kundër agresorëve serbë, Vuçeviq ka thënë se nuk i kupton serbët që shkojnë për pushime në det në Kroaci.

Dushan Petriçiq është autorë i dhjetra librave, pllakatave dhe fushatash promovuese. Ai  ka qenë ilustrator e karikaturist i gazetave dhe revistave më të mëdha në Serbi dhe vazhdon të bashkëpunojë me shumë gazeta dhe revista që botohen në Serbi.

Dušan Petričić, karikatura

(r.m.)