Nju Jork, 23 maj 2024 – Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi sot (e enjte) Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë. Me këtë rezolutë OKB-ja e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
84 shtete votuan për miratimin e rezolutës 19 shtete votuan kundër kurse 68 shtete abstenuan nga votimi.
Të gjitha vendet e Ballkanit, përveç Serbisë, votuan për miratimin e rezolutës.
Për miratimin e rezolutës votuan edhe SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, e cila votoi kundër, dhe Sllovakisë, Greqisë e Qipros, të cilat abstenuan nga votimi.
Kundër miratimit të rezolutës, përveç Serbisë, votuan dy vendet e mëdha aleate tӕ saj, Kina dhe Rusia, si edhe Bellorusia, Koreja Veriore, Kuba, Siria dhe disa shtete të vogla, ku ka ndikim Rusia.
Debatin që i parapriu votimit e hapi ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i të cilës ishte hartuese e rezolkutës, bashkë me Ruandën. Ndër të tjera, ajo tha se rezoluta nuk është kundër askujt, pra as kundër Serbisë, e cila u angazhua fort kundër miratimit të rezolutës.
“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt, as kundër Serbisë, anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha Leendertse.
Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rrëzimin e rezolutës, të cilën e quajti si “shumë të politizuar”. Ai tha se miratimi I kësaj resolute, siç u shpreh “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.
Vuçiqi i akuzoi fuqitë e mëdha për “trysni dhe kërcënime” ndaj vendeve anëtare që nuk do të votonin për miratimin e rezolutës.
“U bëj thirrje vendeve anëtare që të votojnë kundër rezolutës”, theksoi ai, duke shtuar se miratimi i kësaj resolute do të jetë precedent i rrëzikshëm.
“Rezoluta do ta hapë Kutinë e Pandorës dhe do të bëjë të propozohen dhjetëra rezoluta të tilla”, theksoi Presidenti serb.
Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.
Vrasjet massive në Srebrenicë ishin kulmi i luftës së përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë gjatë periudhës 1992-1995, e cila e pasoi shpërbërjen e ish Jugosllavisë.
Serbia dhe serbët e Bosnjës mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, ndonëse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.
Preaidenti I Serbisdë, Aleksandar Vuçiq dhePresidenti i Republikës Serben ë Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, kanë shprehur frikën se miratimi i rezolutës do të krijojë mundësinë që Serbisë t’i kërkohet edhe të paguajë dëmet e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci. Por, disa analistët në Serbi thonë se dy udhëheqësit serbë kanë frikë edhe se mund të gjykohen për pjesëmarrje aktive në krimet luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Tekstin e plotë të rezolutës në gjuhën angleze mund ta gjeni KËTU
(r.m.)