Asnjë përparim në bisedimet mes Rusisë e Ukrainës për armëpushim

Antalya (Turqi), 10 mars 2022 – Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan sot (e enjte) në Antalya të Turqisë, në praninë e homologut të tyre turk, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në konfliktitin midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili ka hyrë në javën e tretë.

Por, nga sa u bë e ditur nga të dyja palët, as në këtë takim nuk u bë asnjë përparim drejt vendosjes së armëpushimit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, bëri të qartë se Rusia nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga objektivi i saj – detyrimi i Kievit që të pranojë kushtet e Moskës. Madje, ai theksoi se “operacioni ushtarak” i Rusisë në Ukrainë “po zhvillohet sipas planit”.

Lavovov tha se Rusia nuk do ta kishte filluar “operacionin ushtarak” në Ukrainë në qoftë se Perëndimi nuk do ta kishte refuzuar kërkesën e Moskës që Kievi dhe Perëndimi të mos ndërmerrnin hapa që e “rrezikojnë” sigurinë e Rusisë.

Sipas Lavrovit, në Ukrainë “sulmohej dhe sulmohet gjithçka ruse”, prandaj operacioni ushtarak ishte i pashmangshëm.

Ministri i Jashtëm rus i akuzoi shtetet e Perëndimit se “po sillen në mënyrë të rrezikshme” në rastin e Ukrainës. Ai tha se Perëndimi po rrezikon të hapë në rajon një konflikt qëm und të zgjasë shumë vite.

“Ata që dërgojnë armë në Ukrainë dhe i inkurajojnë mercenarët do të jenë përgjegjës për veprimet e tyre”, theksoi ai.

Lavrov theksoi se Moska nuk e përdori kurrë naftën ose gazin si armë kundër askujt dhe se kriza energjetike me të cilën po përballet sot bota është pasojë e embargos së Perëndimit ndaj hidrokarbureve të Rusisë.

Megjithkëtë, Lavrov e cilësoi të domoshme vazhdimin e  bisedimeve dhe nuk  e përjashtoi as  mundësinë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Putini nuk i shmang kurrë kontaktet. Ne, thjesht, nuk duam që këto kontakte të ndodhin (vetëm) për fjalë”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitro Kuleba, shprehu keqardhje që në takim nuk u arrit asnjë përparim  në drejtim të vendosjes së armëpushimit.

“Kërkuam armëpushim 24 orësh, por nuk mundëm të arrijmë ndonjë përparim. Me sa duket do të jetë e nevojshme që të hyjnë në veprim vendimarrësit tjerë”, tha Kuleba.

Ai tha se Lavrov nuk dha premtim as për krijimin e korridoreve humanitare në qytetet e rrethuara nga trupat ruse. 

“Fatkeqësisht, Lavrov nuk dha ndonjë premtim për këtë (korridoret humanitare). Tha se lidhur me këtë çështje do të bisedojë sërish me autoritetet përkatëse”, u shpreh Kuleba.

Ai theksoi se armëpushimi është në dorën e Rusisë dhe se Ukraina nuk ka zgjidhje tjetër veçse tërezistojë.

“Ne nuk mund ta ndalim luftën. Nëse vendi dhe shteti që na sulmon nuk e dëshiron këtë, ne nuk do të mund ta ndalim luftën”, tha Kuleba.

“Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”, theksoi ai.

Megjithkëtë, Kuleba tha se ai është i gatshëm të takohet përsëri me Lavrovin, në përpjekje për shmangien e katastrofës humanitare.

“Kam rënë dakord për t’u takuar sërish në një format të tillë. Jam dakord të takohem sërish, nëse ka nevojë, për të kërkuar zgjidhje”, tha ai.

“Kur pala ruse të jetë gati për t’u takuar, edhe unë do të jem gati për këtë takim”, theksoi Kuleba, duke shtuar se do të dëshironte që Lavrov të ishte autoritet që do të mund të merrte vendime.

“Unë këtu kam ardhur si ministër i jashtëm, si një person që kam kompetenca për të marrë vendime, me qëllimin që të gjenden zgjidhje, por Lavrov kishte ardhur vetëm për të dëgjuar”, tha Kuleba.

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalyas. Në takim  mori  pjesëedhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

(r.m.)