Çerçiz Loloçi, Albspirit
Astrit Lulushi lindi në Tiranë më 1953.
U arratis nga Shqipëria izolacioniste komuniste diktatoriale në vitin 1985, periudhë e Perdes së Hekurt ose e Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit.
Në vitin 1986 u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fillon punë në Radion “Zëri i Amerikës” ku shërbeu në të gjitha detyrat: folës, përkthyes, gazetar, shkrimtar dhe producent.
Aktualisht jeton me familjen në SHBA.
Është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, mes të cilave: ‘Pak ndryshe’ dhe ‘Ndjenjë realiteti’ nga Botimet Tirana Times, ‘Zhgënjime sporadike; nga Botimet Dudaj, ‘Kujtesë lirie’ nga Botimet Tirana Times, ‘Sonete të Shekspirit’ nga Botimet Toena, ‘Kalendar historik’, ‘Dije të heshtura’, ‘Pak ajër’, ‘Pa kufizim’ dhe ‘Pa vazhdim’ nga Botimet Tirana Times, ‘Dije pak të thjeshta’, ‘Realitet dhe vetëdije’ dhe ‘Botë dhe mistere’ nga Botimet Uegen, ‘Dëshmi dhe kujtesë’ nga Botimet QTAL, ‘Përshkëndijime’ dhe ‘Udhë pa udhë’ nga Botimet Tirana Times.
Libri ‘Përshkëndijime” ka qenë në listën e shkurtër për çmimin kombëtar të Bibliofilisë.
Prej disa kohësh është kontribues në disa portale shqiptare, mes tyre edhe në Albspirit.
Falë erudicionit të thellë, një pjesë e mirë e eseve të tij janë të natyrës eciklopediste, që sjellin qytetërimet të hershme dhe më të reja, protagonistë dhe kundërprotagonistë, ngjarje dhe dëshmi që zbulohen për herë të parë në shqip.
Autori ka thellësi mendimi dhe priret nga konciziteti duke përçuar mesazhe të mëdha në tekste fare të shkurtëra.
Eseja politike zë gjithashtu vend të gjerë në krijimtarinë e tij duke përballur dukuri perëndimore me ato shqiptare në periudha të ndryshme kohore.
Autorët më të spikatur botërorë janë lëndë e shumë krijimeve të tij që vijnë me fakte e dokumente të panjohura më parë si dhe me ndikimin që ata kanë lënë në universin botëror.