Dje At Zef Pllumi pat njërën prej ditëlindjeve të tij! Atë të pagëzimit si Prekë Gjekmarkaj, 28 Gusht 1924. Ai ka dhe dy të tjera, një të pazakonte ideologjike, që i shënuan në dëshminë e arrestimit të parë 14 dhjetor 1946 pa pritur përgjigjen e tij se kur pat lindur, 7 Prill, ja vunë meqenëse ishte dita e pushtimit fashist dhe ai si xhakon françeskan duhej me patjetër të ishte këmishëzi ideologjikisht për sundimtaret e rinj!
Një tjetër e ka në një nga muajt e vitit 1958 ku shugurohet meshtar me emrin e ri Zef Pllumi si dedikim ndaj jetës së re klerikale (si më parë Zef Ndoka në At Gjergj Fishta, në respekt të traditës para konçilit të dytë që filloi në vitin 1962 për ti permbyllur punimet në 1965)!
La gjurmë unike për shkrimin dhe etiken e tij për epërsinë morale që dekadat i vunë mbi supe.
Ismail Kadare kur një shekull po përmbyllej e kah fundi i tij shfaqej “Rrno vetem per me tregue” pat thënë se “gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”!
“Frati i lirisë kundër tiranisë” apo “Frati i kujtimeve” e pat përkufizuar Aurel Plasari, profesori që ju bashkangjit menjëherë në vitin 1990 për të riformatuar sistemin kulturor, “Misionari i rebeluar” e thirri miku e akademiku Sabri Hamiti e shumë e shumë analiza e përcaktime nga personalitete botërore e të vendit, për të dhe veprën e tij e të gjitha këto sipas profesor Mark Markut e kanë një shpjegim “Ndoshta një nga arsyet pse At Zef Pllumi ishte aq mbresëlënës për ata që e takonin kishte të bënte pikërisht me faktin se ai ishte mishërim i gjallë i etërve të mëdhenj të Kishës shqiptare. Jo vetëm pse i kishte njohur të gjithë me radhë, që nga Fishta e deri te Harapi, jo vetëm pse kishte qenë nxënës i tyre, jo vetëm pse ishte i mbushur plot me kujtime nga afria me ta.
Kishe përshtypjen se Padër Zefi ishte një shumatore e cilësive më të spikatura të tyre. Ishte një ekstrat i çuditshëm i një shqiptari ku ngërtheheshin tradicionalja me modernen, inteligjenca natyrore me kulturën, aftësia abstraguese me shprehitë praktike, vizionarja me pragmatikën, vokacioni fetar me shpirtin qytetar, karakteri kryengritës etj. Kjo e bënte atë njëfarë guruje të çuditshëm të të gjithëve”!!!
Ndryshe nga gjuha e kohës në liri! Ai nuk u viktimizua kurrë, nuk u ankua për vuajtjet e veta, nuk kërkoi revansh por ndryshimin e trurit, të mentalitetit, kërkoi dekomunistizim të shoqërisë, shkolla evropiane për të rinjtë tek të cilët shihte shpresën e vetme për ndryshim kur pushteti në demokraci po merrte formë tribale dhe korrupsioni pozicionohej si shtyllë kurrizore e tij.
I vetëdijshëm për historinë, rrolin, misionin si intelektual shqiptar, si frat katolik, si shkrimtar, si ish i burgosur politik nuk u bë asnjëherë garniturë e politikes por në mënyrë antropologjike, shkroi për shqiptaret dhe veten, për atë që pa e nuk duhej të ndodhte, për atë që mësoi e duhej ta përcillte, për atë që përjetoi e përballoi, ashtu siç ai e rrëfente “dhe unë gjatë gjithë kësaj jete, edhe në sistemin komunist jam përpjekur t’u tregoj që ata nuk ja kanë arritur qëllimit, nuk e kanë zhdukur njeriun tek unë. Këtë ia tregoj vetes. Ka qenë një provë shumë e rëndë, ju s’mund ta kuptoni se jeni të rinj, por njeriu në kushte të jashtëzakonshme, mund të humbte aftësinë e të qenurit njeri”! Në dukje i thjeshtë një pohim kesodore por universal, gordian në çdo ditë të jetës së një individi, së një shoqërie së një kombi në përpjekje për të mos bjerrur humanizmin atë që bën dallimin mes lirisë dhe barbarisë, së drejtës dhe dhunës, së bukures dhe banales, së vërtetës dhe propagandës! Ky është thelbi i veprës së At Zefit që në çdo ditëlindje të tijen na vjen për të na kujtuar se nëse duam mund të jemi të epërm mbi rrethanat, shqiptarë modern që i dinë rrënjët, shqiptarë europianë që duan njëri tjetrin në diversitet”! “Rrno vetëm për me tregue” është libri themelor i shekullit të shqiptarëve, Pllumi demiurgu i tij asketik.
(Marrë nga Balkanweb)