Ata që nuk presin Ditën e Zgjedhjeve për të votuar

Nga Ruben Avxhiu

Miliona amerikanë tashmë kanë votuar. Shumica e 50 shteteve kanë krijuar mundësi që të votosh disa javë përpara Ditës së Zgjedhjeve, duke shkuar vetë qendrat e votimit ose me postë.

Vota me postë ka nisur që nga mesi i shekullit 19, nga koha Luftës Civile, kur ushtarët nuk mund të ktheheshin në shtëpi për të votuar, por është kthyer në një mjet të zakonshëm në kohën tonë, për ata që banojnë jashtë vendit, për të moshuar e të sëmurë, për ata që ndodhen larg shtëpisë për shkak të punës, shkollës, etj.

Për të arritur vota në kohë, zakonisht posta dërgohet përpara Ditës së Zgjedhjeve dhe shumë prej tyre kanë mbërritur para kohe edhe këtë vit.

Votimi i hershëm duke shkuar vetë fizikisht në qendrën e votimit, përpara se të vijë Dita e Zgjedhjeve, është një praktikë më shumë e kohës sonë. Njerëzit kanë më pak kohë dhe radhat në Ditët e Zgjedhjeve janë shpesh shumë të gjata dhe kthehen në torturë fizike.

Pse të presësh 2-3 orë në radhë (nëntori është edhe i ftohtë nganjëherë në pjesë të ndryshme të SHBA-së), kur mund të shkosh dhe të mbarosh punë për pak minuta në ditë të zakonshme. Punonjësi zgjedhor tashmë nuk punon vetëm 24 orët e ditës së votimit, por javë me radhë.

 

Kush ka marrë më shumë vota deri tani?

 

Votat normalisht numërohen Ditën e Zgjedhjeve. Dhe pak kush e ka vrarë mendjen për shumë kohë se kush po voton përpara e kush në ditën e madhe.

Mirëpo, në ditët tona, kur lajmet politike nuk janë vetëm 24 orë në ditë, por çdo sekondë e çdo minutë, për shkak të çmendurisë dhe grykësisë së rrjeteve sociale, askush nuk do të presë. Çdo ditë është një betejë. Betejë numrash me anketime, me pjesëmarrës në mitingje, me mbështetje publike për kandidatët. Forma më e fundit është duke numëruar votuesit e parakohshëm. Nuk mund ta dimë se për kë kanë votuar por e dimë se të kujt partie janë.

Shumë opinionistë dhe strategjistë fushatash kanë thënë që duhet treguar kujdes me këto numra se mund të mos kenë asnjë lidhje me rezultatin përfundimtar. Por kush pyet për këtë. Njerëzit duan të dijnë se si po shkon puna.

Dhe ka lajme të mira dhe të këqia për të dy krahët, kështu që vazhdimisht mund të shohësh numra që shpalosen në ekranet televizive, në postime të flakta në rrjetet sociale etj. Lajmi i mirë për Kamala Harris është që më shumë demokratë sesa republikanë kanë votuar deri tani. Lajmi i mirë për Donald Trump është se në krahasim me vitin 2016 dhe 2020, numri i republikanëve që votojnë para kohe është shumëfishuar. Dmth kaq e madhe është dallga republikane në këto zgjedhje saqë ka nisur përpara kohe.

Demokratët kanë qenë historikisht më të organizuar dhe e kanë kthyer herët në traditë votimin para kohe. Republikanët tradicionalisht kanë pritur Ditën e Zgjedhjeve.

Kur, erdhi viti 2020, epidemia detyroi miliona njerëz që zakonisht votonin vetë në qendrat e votimit, të preferonin postën ose vajtjen para kohe për të shmangur turmat dhe infektimet. Ky mentalitet u dha epërsi demokratëve që kishin një sistem të hershëm të votimit para kohe, me organizata bazë që nxisin e ndihmojnë njerëzit në çdo qendër banimi që të votojnë.

Mjeshtëria është të bësh që të votojë atë që është me ty por që për shumë arsye mund të përtojë ose të harrojë që të votojë Ditën e Zgjedhjeve. Mund t’ia mbushësh mendjen të shkojë para kohe, ta shoqërosh, ta bindësh të votojë nga shtëpia me zarf etj.

Në vitin 2020, kur u lejua për të gjithë që të votonin me postë, demokratët e shfrytëzuan në maksimum.

 

1 milion dollarë në ditë për një republikan fatlum

 

Katër vjet më vonë, republikanët më të zgjuar nuk kanë humbur kohë duke u ankuar për hile dhe parregullsi. Kanë mësuar dhe kopjuar sistemin e demokratëve. Kapelet e kuqe të Trumpit nuk po presin më Ditën e Zgjedhjeve.

Mbështetës të fuqishëm si Elon Musk, që supozohet se është njeriu më i pasur në planet, po udhëheqin përpjekjen për regjistrimin e republikanëve në listën e votuesve. Musk po jep 1 milion dollarë në ditë për një nga ata që regjistrohen. Kjo llotari e përditshme ka entuziasmuar republikanë por edhe mbështetës të kandidatit Trump që nuk janë domosdoshmërisht republikanë.

Në zemër të fushatës është Pennsylvania, një shtet që ka rëndësi të jashtëzakonshme për fitoren republikane. Demokratët dhe disa opinionistë në media dyshojnë se kjo llotari është shkelje e ligjit. Nuk mund të blesh votën me para. Por është e diskutueshme. Mund të marrësh 1 milion dollarë dhe përsëri të votosh për Kamala Harrisin. Vota është sekrete. Mendohet se shumë demokratë apo njerëz që nuk janë me kandidatin Trump po regjistrohen në votime si republikanë me shpresën që të marrin një milion. Në fund të fundit, pse jo?

 

Kush ka votuar më shumë deri tani në 7 shtetet fushëbetejë

 

Sipas Laboratorit të Zgjedhjeve në Universitetin e Floridas, më shumë republikanë kanë votuar në Arizona, Nevada, dhe North Carolina, kurse në Pennsylvania,kanë votuar më shumë demokratë.

Ka shumë numra që qarkullojnë, por lexuesi e ka të vështirë që të verifikojë burimet. Për shembull është më lehtë në një shtet si Nevada, ku ligji lejon këdo, edhe ata që janë të shëndetshëm, që të votojnë me postë. Mjafton të kërkosh dhe ta nisin një votë me zarf. Kështu që komisioni zgjedhor mund të numërojë ata që kanë kërkuar një të tillë. Sipas këtij sistemi, dihet që më shumë republikanë kanë kërkuar zarfa se kurdo tjetër në historinë e shtetit. Kjo nuk ka si shihet përveçse si një shenjë fuqizimi të republikanëve në Nevada. Në shtete të tjera, llogaritja është më e komplikuar dhe mund të mos përfshijë të gjithë faktorët.

Për shembull, sipas një njoftimi, deri dje në New Jersey, kishin votuar 144,644 republikanë dhe 139,999 demokratë, megjithëse ky është një shtet që ëhtë llogaritur se do të votojë për Kamala harris në mënyrë të sigurtë. Sa e saktë është kjo?

Demokratët kanë arsye që janë të shqetësuar këtë vit. Disa vëzhgues po justifikohen se këta mund të jenë republikanë që nuk e duan kandidatin e tyre. Si për shembull vetë ish-Guvernatori i shtetit New Jersey, Chris Christie. Por sa përqind mund të jenë vërtet këta njerëz. Edhe Ambasadorja Nikki Haley tani është kthyer në Kampin Trump.

Megjithë vrullin për të votuar parakohe, numri i atyre që kanë votuar deri tani mbetet më i ulët nga “viti i koronavirusit” kur u shënuan numra rekord në të gjitha aspektet. Për të krahasuar kam postuar këtu disa grafikë nga “Washington Post”, për votuesit e hershëm deri tani në 6 nga 7 shtetet fushëbetejë.