Udhëtuan me qindra kilo metra më këmbë ose mbi kuaj drejt Tiranës dhe Vlorës. U shndërruan në vatra prushi dhe zjarre shëtitëse duke u mbështjellë me flamur kuq e e zi. U mblodhën e brohoritën me gjithë shpirt me qindra mijëra nëpër sheshe. Shpalosën me mijëra e mijëra flamuj nëpër dritare e ballkone. Uruan njëri-tjetrin. Festuan e shtruan gosti. Ngritën dolli e folën pa fund për atdheun e tyre, Shqipërinë, historinë e saj, dashurinë për të, sakrificat që u është dashur të bëjnë shqiptarët për të arritur në 100-vjetorin e pavarësisë etj., etj. Nuk zbatuan asnjë urdhër apo direktivë të politikës apo administratës për t’u mbledhur e për të festuar. Nuk ndoqën as ndonjë shembull të ndonjë përvoje të shkuar. S’kishte shembull, s’kishte përvojë, ishte hera e parë në historinë e tyre që shqiptarët festuan në këto përmasa mahnitëse. Aq i bukur, aq madhështor qe ai shpërthim vullkanik, ajo ngjarje e paharruar, sa askush nuk e parashikoi dot, as më entuziastët! Por çfarë ishte? Pse ndodhi dhe si ndodhi? Si mund të cilësohet? Si mund të klasifikohet? A ka një përcaktim, një definicion? A ka një emër? Shumë fjalë janë thënë, shumë hamendje janë shprehur, shumë zhurmë është bërë. Le të konsiderojmë, duke e marrë për lehtësi shqyrtimi, se ajo që ndodhi e ka emrin, ashtu si më së shpeshti një numër jo i papërfillshëm monitorësh, analistësh, opinionistësh, edhe shqiptarë, madje çuditërisht më të shumtët shqiptarë, zhvillimet e fundit festive të shqiptarëve i panë me drojë duke i quajtur kërcënim nacionalistik. Pra, nacionalizëm po se po, por edhe kërcënues. Çfarë është nacionalizmi? Cili është përkufizimi i nacionalizmit? A është i vjetër apo i ri, i mirë apo i keq? Në ç’kushte lind? Kujt i duhet, kujt i shërben? Është e pafundme lista e teorive dhe autorëve të teorive, numri i volumeve, studimeve, përcaktimeve politike, sociologjike, psikologjike dhe pothuaj i të gjitha zhanreve, madje edhe e librave artistikë me përmbajtje letrare mbi nacionalizmin. Ajo që bie menjëherë në sy është se secili autor dhe secili dishepull, i secilës teori, secilit studim, secilit libër dhe secilit definicion mbi nacionalizmin, mbron teorinë e vet, dhe natyrisht hedh poshtë të gjitha teoritë e tjera. Nuk ka dy fjalorë, dy enciklopedi, dy autorë, dy libra, që të jenë të një mendjeje për nacionalizmin; çfarë është, çfarë përfaqëson, çfarë rrezikon ose përmirëson, çfarë ndreq e çfarë dëmton nacionalizmi. Një numër autorësh e shohin nacionalizmin, rrënjët e tij, thellë në mjegullat e kohës, në primordialitet, në zanafillën e jetës së planetit, duke e interpretuar në lidhje të ngushtë me teoritë e evolucionit, si shkak apo shtysë zhvillimi brenda teorisë darviniane të selektimit natyral, pra pjesë të luftës për mbijetesë si domosdoshmëri zhvillimi determinist. Të tjerëve autorë, nacionalizmin nuk e shohin aspak si dukuri të vjetër, por thjesht dhe vetëm produkt të drejtpërdrejtë të pragmatizmit politik modern. Sipas disave, nacionalizmi është fenomen progresist që është shfaqur në shoqëritë moderne në shekujt e 18-të dhe 19-të nga shtysa që lidhen ngushtësisht me progresin teknik, teknologjik. Të tjerë hulumtues, nacionalizmin e përcaktojnë si fenomen të së njëjtës periudhë, pra të erës moderne, por me efekt të kundërt, thellësisht frenues, regresiv. Dikush e definon nacionalizëm të majtë. Dikush tjetër apo disa të tjerë, vetëm të djathtë. Për disa, nacionalizmi është fenomen idealistik. Për disa të tjerë është fenomen i pastër pragmatik, materialistik. Ka po aq raste, autorë, teori, lidhur me nacionalizmin si shfrim të impulseve pozitive të komuniteteve njerëzore, ca edhe si shpërthim të impulseve negative. Disa, nacionalizmin e quajnë sëmundje, të tjerë e përcaktojnë si shërim. Disa si pasuri, të tjerë si varfëri. Disa si fat, disa si fatkeqësi. Duke pasur parasysh nacionalizmin dhe duke e refuzuar atë, një dijetar i shquar thotë se: “Më duket e padenjë që shpirti im të kondicionohet nga gjeografia”. Një tjetër shkon edhe më larg, duke përcaktuar jo vetëm lindjen e nacionalizmit, por edhe krijimin e kombit, si reagim spontan instinktiv të një bashkësie të frikësuarish prej fqinjëve. Por, ka edhe që nacionalizmin e shohin thjesht si shprehje të vullnetit të individëve të një kombi për të jetuar së bashku ose se nacionalizmi zhvillohet apo praktikohet kryesisht si mbrojtje e interesave kulturore të një kombi. Në morinë e teorive të pafundme për nacionalizmin ka madje edhe një të tillë me karakter relativizues, që thotë se nacionalizmi është teoria dhe praktika, zbatimi i të cilave sjellin progres më të madh dhe më të shpejtë nga veprimi kombëtar, sesa nga veprimi ndërkombëtar. Pra, ka një pafundësi idesh dhe definicionesh për nacionalizmin, që ndryshojnë skajshmërisht nga njëra-tjetra. Veç në një gjë bashkohen të gjitha; që për t’i zbatuar llojet dhe nënllojet e pafundme të nacionalizmit, si atë të vjetrin, të riun, të mirin, të keqin, ndërtuesin, shkatërruesin etj., etj., duhet të jenë përgatitur paraprakisht studime frymëzuese të hollësishme, hulumtime të thella akademike, duhet të jenë bërë plane dhe të jenë ndërtuar strategji të vënies në zbatim të secilit nacionalizëm nga studiues, akademikë, politikanë, përfaqësues të lartë të religjionit, filozofë, dijetarë nga të gjitha fushat e dijes. Fakti i pamohueshëm se ne nuk kemi në historinë tonë të tillë njerëz dhe të tilla teori dhe praktika, është argumenti që kundërshton dhe hedh poshtë përfundimisht ekzistencën e çdo lloj nacionalizmi shqiptar. Ky “boshllëk” apo kjo “mungesë” është prova definitive përballë atyre që gjoja po merakosen dhe po na paralajmërojnë për rrezikun nga demek nacionalizmi ynë me frikë të madhe për ne dhe veten e tyre. Kudo ka nga pak nacionalizëm, dhe të gjithë janë nga pak nacionalistë. Po ne shqiptarët? Duke marrë parasysh edhe sa ndodhi në fund të nëntorit, kur festuam 100- vjetorin, a jemi ne ndopak nacionalistë? Po. Jemi. Por aspak më tepër se të tjerët. Për një arsye të thjeshtë, të qartë, lehtësisht të konstatueshme. Përveç shfrimeve individuale dhe spontane kolektive, asnjëherë të zararshme si ky i fundit, si e cekëm më lart, ne nuk kemi në historinë tonë, as të vjetër as të re, dijetarë që ambiciet tona nacionalistike t’i kenë parashtruar në mënyrë sistematike, shkencore. Dijetarët tanë kanë shkruar për historinë tonë, gjuhën tonë, çlirimin nga pushtuesit, kanë shkruar për dashurinë dhe natyrën, por kurrën e kurrës për aspirata nacionalistike të llojit të përcaktimeve të nacionalizmit. Do të duhej së paku që shqiptarët të kishin diku në ndonjë cep të historisë së tyre ndonjë elaborim akademik, makar edhe vetëm teorik, të synimeve apo sjelljeve nacionalistike, por nuk e kanë asnjë. Të tjerët kanë akademizma nacionalistike, disa edhe të përpunuara hollë dhe thellë. Ne nuk kemi. Meqenëse për nacionalizmin flitet, nacionalizmi duhet të ekzistojë. Por jo në Shqipëri. I ashtuquajturi “nacionalizëm shqiptar” është një keqkuptim, një moskuptim, një moskonsiderim i fateve historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dukuria apo dukuritë për të cilat flitet se na paraqesin të tillë, nuk janë nacionalizëm, janë shfrime zemrash, shpërthime shpirtrash. Për faktin se shqiptarët janë të rrethuar me shqiptarë. Kjo hallakamë vajtimtare njerëzore ishte shkaku i shpërthimit të atyre që provuan se dinë të mblidhen dhe dinë të jenë në një mendje kur fjala është për probleme serioze, siç janë gjysmat e trojeve që u janë dhuruar fqinjëve dhe shqiptarët në Ballkan të shpërndarë në pesë shtete. Pra, nuk ishte nacionalizëm. Ishte atdhedashuri, asgjë tjetër.