Thanas L. Gjika
(Vlerësime për librin “Simfonia e udhëtimeve” të Adnan Mehmetit)
Në mars të këtij viti doli nga shtypi libri i ri i shkrimtarit, poetit dhe gazetarit të mirënjohur Adnan Mehmeti “Simfonia e udhëtimeve” EUTPRESS, Tiranë 2021, 231 faqe, me redaktor Dr. Bexhet Asani dhe parathënie të hartuar nga Dr. Yllka Filipi.
Adnani, shkurt Adi, u lind në Luginën e Preshevës (1964), krahinë shqiptare të cilën qeveria federative jugosllave ia shkëputi Kosovës dhe ia dha Republikës së Serbisë më 1954. Adnani është produkt intelektual i Universitetit të Prishtinës (1985-1989), produkt i këtij inkubatori të rëndësishëm që u shqua për krijimin e kuadrove të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Pas mbarimit të kësaj shkolle të lartë ai emigroi në Zvicër, ku, krahas punës për të mbijetuar, kreu dhe detyrën misionare të mësuesit të gjuhës shqipe me fëmijët e komunitetit shqiptar të atjeshëm. Në vitin 1995, duke kuptuar se do të ishte më i vlefshëm në SHBA, ku kishte një komunitet shqiptar të madh, që po rritej me shpejtësi, erdhi këtu për të vijuar shërbimin ndaj çështjes kombëtare përmes krijimtarisë letrare dhe organizimit të aktiviteteve kulturore artistike. Rezultat i këtij përkushtimi janë lista e gjatë e librave të tij me prozë e poezi, aktivizimi në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë themeluar më 2001, të cilën po e drejton me sgjuarësi e përkushtim prej disa vitesh, sponsorizim për botime librash dhe të revistës “Pena”, aktivitete të shumtë për promovim librash, takime krijuesish në qytetin Stamford CT., ku ai jeton. Për shkak të këtyre aktiviteteve, qytetin Stamford., krijuesit shqiptaro-amerikanë e quajnë “Qyteti i Adi Mehmetit”.
Me krijimtarinë e tij letrare në poezi e prozë, në publicistikë, kritikë letrare, etj, Adnan Mehmeti ka kohë që ka zenë vendin e një krijuesi të shumanshëm. Për aspekte të ndryshme të kësaj krijimtarie kanë shkruar studjues e kritikë të njohur si Prof. Agim Vinca, Dr. Besim Muhadri, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, kritiku Adriatik Kallulli, poeti Dr. Gjekë Marinaj, Dr. Yllka Filipi, etj.
* * *
Dashuria për atdheun shtohet kur ia njohim sa më shumë e sa më mirë vlerat e tij, vlera që përbëhen nga pasuritë e bukuritë natyrore e njerëzore, nga historia, bëmat e ndryshme të heronjve, etj. Kjo dashuri rritet e shtohet përmes leximit të librave, shikimit të filmave dhe emisioneve televizivë, si dhe përmes vizitave të vazhdueshme në vende muzeale, në qytete e fshatra me natyrë të bukur dhe me histori të pasur, etj.
Njohja përmes vizitave konkrete në vende muzeale, në qytete, fshatra dhe pika turistike me natyrë të bukur dhe me vlera historike përbën anën më emocionuese, atë që ngulitet më thellë në kujtesën e njeriut sesa njohja përmes leximit të librave, shikimit të filmave dhe emisioneve televizivë. Pikërisht kësaj njohjeje krijuesi dhe patrioti Adnan Mehmeti, si pak shqiptarë, i ka kushtuar vëmendje të vijueshme gjatë jetës së tij para e pas martesës dhe sot si prind i dy fëmijëve Tea dhe Andi.
Për ne, gati katër miljon shqiptarët që jetojmë sot të shpërndarë nëpër botë, ka dy probleme lidhur me dashurinë ndaj atdheut që lamë pas dhe ndaj atdheut të dytë që adaptuam me dëshirën tonë pas emigrimit/shpërnguljes. Atdheun mëmë nuk e njohëm sa duhet para largimit, kurse atdheun e ri që kemi adaptuar nuk po e njohim sa e si duhet. Kjo mungesë njohjeje ka sjellë si pasojë dhe mungesën e dashurisë së thellë për të dy atdhetë. Shumë prej nesh, sidomos fëmijët që morrëm me vete e njihnin pjesërisht atdheun mëmë. Kurse fëmijët që na u shtuan në emigracion e kanë edhe më të vakët njohjen dhe dashurinë për atdheun e origjinës. Dhe më keq akoma po shkon puna me shumë prej tyre, që nuk po e mësojnë si duhet gjuhën amëtare dhe nuk po lexojnë libra në këtë gjuhë.
Libri i ri “Simfonia e udhëtimeve” është dëshmi e gjallë e pasionit dhe punës atdhetare të përkushtuar të intelektualit të shquar Adnan Mehmeti si prind dhe atdhetar i niveleve të larta. Udhëpërshkrimet e tij kushtuar udhëtimeve dhe vizitave personale dhe familjare nëpër Ballkanin Perëndimor, të cilin ky preshevas e konsideron atdheun e tij e të familjes së tij, ai i ka botuar në libra të mëparshëm. Kurse udhëpërshkrimet ku përshkruan vizitat nëpër atdheun e adaptuar, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, të botuar në këtë libër, tregojnë se askush prej nesh nuk mund të krahasohet me zotin Adnan Mehmeti në këtë përkushtim të pasionuar.
Nuk janë paret, që fiton ky intelektual duke punuar rëndë, që e bëjnë atë të pakrahasueshëm me ne të tjerët. Janë pasioni i tij atdhetar dhe niveli i lartë kulturor, që e ndihmojnë për ta kryer këtë mision pa pyetur për shpenzimet. Të gjithë e dijmë se ka shumë shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-gjermanë, shqiptaro-francezë, shqiptaro-italianë, shqiptaro-anglezë, etj, që kanë krijuar pasuri më të mëdha se të këtij intelektuali, por nuk kanë realizuar udhëtime personale e familjare kaq të shumtë për njohjen e atdheut të dytë. Këtë e them me bindje të plotë jo vetëm për ne shqiptaro-amerikanët, por edhe për të gjithë pjesëtarët e diasporës shqiptare në botë. Madje do të shtoja se rasti i tij është i pakrahasueshëm edhe me emigrantë të popujve të tjerë që jetojnë në SHBA. Nuk besoj se ka një person tjetër të ngjashëm me këtë atdhetar e krijues, që të ketë ndërmarrë udhëtime edukative për familjen e vet në vendin ku jeton pas emigrimit në vende si Gjermania, Franca, Italia, Anglia, etj, edhe pse këto vende janë më të vegjël se Amerika.
Leximi i librit “Simfonia e udhëtimeve” shkruar me një gjuhë tërheqëse të shton njohuritë gjeografike, historike dhe emocionet për aspekte e pasuri të ndryshme të qyteteve dhe pikave turistike më të rëndësishme të gjithë Amerikës së Veriut, pra të SHBA-ve, Meksikës dhe Kanadasë. Lexuesi merr njohuri edhe për gjendjen e komuniteteve shqiptaro-amerikane në qytetet ku ka shëtitur autori me familjen e vet. Në këto përshkrime autori tregon krahas bukurive dhe fakteve historike e gjeografike edhe jetën e punën e banorëve amerikanë e shqiptarë që ndihmojnë me mund e djersë në lulëzimin e këtij vendi që ka zenë vendin e parë në botë për nga zhvillimi ekonomik e ligjor. Të tilla aspekte i japin këtij libri dhe një karakter enciklopedik.
Vlerat shkencore i shtohen librit edhe prej listës së emrave të njerëzve dhe vendeve të shkruar në shqip dhe anglisht gjatë librit dhe në fund të librit, për të ndihmuar lexuesit pët të përvetësuar drejtshkrimin e këtyre emrave në këto dy gjuhë.
Si përfundim them se “Simfonia e udhëtimeve” e Adnan Mehmetit është një libër i munguar në letërsinë tonë, një shembull që duhet ndjekur për formimin e shqiptaro-amerikanëve të çdo moshe, një shembull që vlen të pasohet edhe prej krijuesve të tjerë shqiptarë të diasporës sonë të Amerikës dhe Europës.