Athinë, 8 gusht 2023 – Athina zyrtare vijon të këmbëngulë në lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri i cili pret të gjykohet nga gjykata e Posaçme në Shqipëri, nën akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis i tha rrjetit shtetëror televiziv grek “ERT” se “këmbëngulja e palës shqiptare për të mos marrë masat e nevojshme për lirimin e zotit Belerit dhe mbi të gjitha për të mos lejuar atë që të bëjë betimin, që rrezikon shkarkimin e tij të mundshëm, do të nënkuptojë një përkeqësim serioz të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë”.
Zoti Gerapetritis në deklaratën e tij përsëriti qëndrimin e qevrisë greke se “paraburgimi i Belerit është i paligjshëm dhe cënon shtetin e së drejtës”.
“Nuk ka sesi të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së zotit Beleri”, tha ministri i jashtëm grek, Gerapetritis.
Sipas kreut të diplomacisë greke “mënyra e trajtimit të çështjes përbën një pengesë serioze në rrugën e përparimit të Shqipërisë drejt familjes europiane dhe tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj”.
Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, njoftoi pak ditë më parë se mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, nën akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit nën dyshimet për shitblerje të votave dhe doli fitues, me një diferencë shumë të ngushtë votash, ndaj kantidatit rival Jorgo Goro.
Të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar kanë lënë në fuqi masën e arrestit në burg për zotin Beleri dhe kjo i ka pamundësuar të bëjë betimin për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës.
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)