Prishtinë, 3 dhjetor 2021 – Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat të paguajnë tatim për to.
ATK ka paralajmëruar se do të kontrollojë dhe do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura.
“Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Në njoftim është rikujtuar se kryerja e detyrimeve tatimore nga qytetarët e Kosovës nënkupton kontribut në financimin e programeve qeveritare, përkatësisht “infrastrukturës së përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”.
Në gusht të vitit 2021, Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri dhe Tregti, ka filluar procedurat për Projektligjin për kriptovaluta.
Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare.
(r.m.)