Prishtinë, 25 shtator 2021 – Dy vendkalime kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, në Jarinjë dhe në Bërnjak, vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh që kërkojnë heqjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Dy rrugët në afërsi të këtyre vendkalimeve kufitare janë bllokuar me kamionë e mjete të tjera të rënda dhe me zhavor, kështu që janë të pakalueshme për automjete. Qytetarët që lëvizin nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas detyrohen të ecin këmbë afër 4 likometra dhe ta kalojnë kufirin.
Në të dy rrugët, pranë barrikadave, vazhdojnë të qëndrojnë ditë e natë grupe serbësh, të cilët ndërrohen nga grupe të tjera. Disa herë ata janë vizituar nga drejtuesit e Listës Serbe, partisë që dirigjohet nga Beogradi zyrtar.
Pranë barrikadave vazhdojnë të qëndrojnë pa ndërprerë edhe pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë në zonë.
Ndërkaq, në anën tjetër të kufirit janë parë lëvizje të shtuara të xhandarmërisë dhe të ushtrisë serbe. Helikopterë të ushtrisë serbe kanë fluturuar në afërsi të vijës kufitare. Raportohet se në Rashkë dhe në Novi Pazar është ngritur niveli i mobilizimit të ushtrisë serbe.
Të gjitha këto flasin për situatë të tensionuar në veri të Kosovës, ndonëse deri më sot nuk ka ndodhur asnjë incident serioz që do ta rrezikonte paqen e sigurinë në këtë zonë.
Por, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, në Zubin Potok dhe në Zveçan, kanë ndodhur dy incidente të rënda që lidhen me reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve. Në Zubin Potok janë djegur zyrat e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, të cilat ndodhen në ndërtesën e komunës, ndërsa në ndërtesën ku gjenden zyrat e Qendrës së Regjistrimit Civil janë gjetur dy mjete shpërthyese, të cilat janë deaktivizuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar këto si akte kriminale të individëve ose grupeve të mbështetura nga Serbia. Ai e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se po provokon konflikt serioz para syve të faktorit ndërkombëtar.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti në rrjetin social, Facebook.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për shtendosjen e situatës dhe kanë kërkuar që palët ta zgjidhin çështjen me dialog.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, ka thënë se të dy palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme, si edhe të përqendrohen në dialog.
“Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Të premten, NATO u ka kërkuar Prishtinës dhe Beogradit uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës dhe të përmbahen e të shmangin veprimet e njëanshme.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizje të lirë, të arritur në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Kjo marrëveshje ka skaduar më 15 shtator dhe Serbia nuk ka ndryshuar asgjë në regjimin e lëvizjes për automjetet me targa të Kosovës që hyjnë në Serbi, prandaj Qeveria e Kosovës ka nisur ta aplikojë të njëjtën masë për automjetet me targa të Serbisë që hyjnë dhe lëvizin në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është detyruar nga Serbia të zbatojë masën që ajo e ka zbatuar prej vitit 2011.
(r.m.)