Aushvic-i shqiptar

Afërdita Dule dëshmon tek emisioni “E diela shqiptare” në TV-Klan


Nga Moza Boletini

Afërdita, një vajzë e re, tashmë e rritur dhe nënë për të birin e saj, u ftua nga Ardit Gjebrea në emisionin “Ka një mesazh për ty”. U kthye nga Italia në Tiranë pas 38 vitesh, për të njohur familjen origjinale të saj. Mes lotësh e emocionesh tregoi momentet e birësimit nga dy prindër të huaj dhe jetën e lumtur me ta në Itali, të cilën e quante mrrekulli të fatit të saj.
E stërmunduar me veten për të ditur arsyen pse ishte braktisur në jetimore qysh foshnjë, foli për vuajtjet e saj shpirtërore, sjelljen brutale dhe abuzimet e dhunshme fizike që kishte përjetuar ajo dhe fëmijët e tjerë në jetimoren e Vlorës nga edukatoret ku kishte jetuar disa vite. Të cilat i linin pa larë, pa pirë ujë, pa ushqim dhe i detyronin të hanin bubureca dhe mbeturinat e ushqimeve të tyre në kazanet e plehrave. I godisnin me grushte dhe tortura të ndryshme të këtij lloji ….Këtë institucion që për Afëriditën ishte një tmerr, ajo e quan Aushvic.  Kampe Aushvic kemi patur plot në Shqipëri gjatë rregjimit komunist, ku janë keqtrajtuar, dhunuar e kanë humbur jetën edhe fëmijët e vegjël nga malarja e mos ushqyerja e mirë, siç ishte kampi politik famëkeq i Tepelenës etj, por sipas rrëfenjave të shqiptaro italianes Afërdita Dule, mësuam se edhe jetimorja e Vlorës ku ajo kaloi një pjesë të fëmijërisë së saj paska qenë Aushvic. Çfarë tregon që autorët e këtyre krimeve duhet të dalin të gjithë përpara drejtësisë. Edhe pse tepër e vogël në moshë në vitin 1991 shpëtimin e gjeti duke ju hedhur në krahë babait birësues, të cilin nuk e njihte fare. Familja italiane që nuk kishin fëmijë, e adhuroi menjëherë, e quajti bijën e saj dhe e mori me vete në Itali. E pagëzuan me emrin Maria. 
Matanë saj dhe murit “magjik” në studion e televizionit Klan ndodhej drejtuesi i emisionit Ardit Gjebrea, që me dashamirësinë për të bashkuar familjen, dhe bravo i qoftë se ja arriti qëllimit, qëndronin ulur babai, motra dhe vëllai Afërditës, vajzës se lënë në jetimoren e Vlorës në vitin 1983. Arsyeja e lënies së saj në jetimore sigurisht nuk ishte e lehtë, por brenda kishte domethënie shumë të forta, nëna pas lindjes së saj sëmuret rëndë, pas një komplikacioni nga doza e tepërt e ilaçeve kalon në depresion e krizë nervore,  I ati që kishte për të rritur e ushqyer edhe tre fëmijë të tjerë dhe i rënuar jo vetëm ekonomikisht detyrohet të shtrojë gruan në spitalin psikiatritk të Vlorës dhe të lerë Afërditën tetë muajshe në jetimoren e Vlorës, që sipas kushtit të kontratës do ta merrte sapo ajo të bëhej 7 vjeç. 

Por ironia e fatit vijon, kur familja kërkoi për ta marrë përfundimisht Afërditën që andej, drejtuesit e atij institucioni i thanë do prisni se ka shkuar në Itali për pushime me disa shoqe të tjera. Një absurditet i madh ky me shumë enigma, për vetë të voglën!!! U deshën 38 vite, shumë peripeci, zvarritje të pajustifikueshme që më në fund Afërdita dhe familja e saj të bashkoheshin.  Në fakt qëllimi i vërtetë i këtij artikulli qëndron në faktin se, si unë e mijra qytetarë që e ndoqën emisionin besoj janë tronditur, dikush është përlotur. Por a janë ndërgjegjësuar ndopak ato zonja dhe institucioni i jetimores që e torturonin foshnjën e gjorë dhe më pas nuk i tregonin familjes të vërtetën e birësimit të saj në Itali. Pse e kishin mashtruar vajzën e vogël duke i thënë se prindërit të kanë vdekur dhe ti je vajzë e vetme. Kush mban përgjegjësi për Aushvic-in shqiptar edhe në jetimoren e Vlorës rreth viteve 1983 – 1991, çdo kush që ka abuzuar mbi ata fëmijë të pambrojtur duhet të shkojë para bankës së të akuzuarve, po ashtu edhe institucioni në Tiranë që ka kryer dokumentacionin e birësimit, duhet të merret në pyetje që nuk i ka treguar se ajo ka një familje, ka prindër, vëlla e motra që ishin gjallë e kërkonin ta kishin pranë tyre. Çertifikata familjare ishte dokumet që nuk mund të gabonte askush. Edhe pse kanë kaluar kaq vite dhe nëse ato që deklaroi Afërdita Dule tek emisioni “E diela shqiptare” në TV-Klan vërtetohen, Drejtësia duhet të veprojë edhe ndaj këtyre akteve kriminale e gjithëkush të mbajë përgjegjësitë.