Paris, 17 qershor 2024 – Në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që është hapur sot në Paris është ekspozuar prototipi i automjetit ushtarak “Shota”, prodhim i Shqipërisë.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e ka cilësuar këtë si “një moment të rëndësishëm” për industrinë e mbrojtjes së Shqipërisë.
“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare ‘Shota’. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, ka shkruar Peleshi.
Autoblinda “Shota” është e pajisur me teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të këtij automjeti është fuqizimi i sektorit të mbrojtjes.
Në panairin EUROSATORY në Paris prezantohen prodhimet e rreth 2 mijë kompanive nga gjithë bota. Në panair marrin pjesë përfaqësues të SHBA-së, NATO-s dhe të shumë vendeve të botës.
(r.m.)