Nju Jork, 13 gusht 2022 – Hadi Matar, i dyshuari për sulmin me thikë ndaj shkrimtarit Salman Rushdie gjatë një aktiviteti në shtetin e Nju Jorkut, po akuzohet për tentativë vrasjeje dhe po mbahet pa të drejtën për lirim me kusht, thanë të shtunën prokurorët e qarkut Chautauqua.
24 vjeçari Matar nga Fairview i shtetit Nju Xhersi, u arrestua të premten vonë, nën akuzat për tentativë vrasjeje, tha prokurori i qarkut, Jason Schmidt, në një deklaratë.
Novelisti i lindur në Indi, i cili jetoi vite të tëra në fshehtësi pasi Irani u bëri thirrje myslimanëve ta vrisnin për romanin e tij “Vargjet Satanike”, u godit të premten me thikë në qafë dhe kraharor.
Sipas agjentit të tij, 75-vjeçari po mbahet me oksigjen nga mjekët. Andrew Wylie tha se shkrimtari ka dëmtime në mëlçi, nerva të prera në krah dhe mund të humbasë njërin sy.
Prokurori Schmidt tha se agjencitë shtetërore dhe federale të zbatimit të ligjit, përfshirë ato të Nju Xhersit, po punonin për të identifikuar hollësitë e planifikimir dhe përgatitjes së sulmit dhe për të përcaktuar nëse duhen ngritur akuza shtesë.
Policia tha të premten se nuk kishte përcaktuar ende motivin për sulmin ndaj 75 vjeçarit Rushdie, i cili ishte ftuar të mbante një fjalim para një auditori prej qindra vetësh mbi lirinë artistike, kur Matar hipi në skenë dhe e sulmoi atë.
Një analizë paraprake nga organet e rendit e veprimtarisë në mediat sociale të Matarit, tregon se ai është simpatizant i ekstremizmit shiit dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, megjithëse nuk është përcaktuar ndonjë lidhje e konfirmuar me këto grupe, sipas televizionit NBC.
Matar ka lindur në Kaliforni dhe së fundmi ishte zhvendosur në Nju Xhersi, thuhej në njoftimin e NBC-së që gjithashtu bënte të ditur se ai kishte një patentë të rreme me vete. Ai u arrestua në vendngjarje pasi u bllokua nga të pranishmit.
Garda Revolucionate e Iranit është një fraksion i fuqishëm që kontrollon një perandori biznesi, si dhe forca elitare të armatosura dhe të zbulimit që Uashingtoni i akuzon për kryerjen e një fushate ekstremiste globale.
Rushdie, i cili ka lindur në një familje myslimane indiane nga Kashmiri në Bombei – sot Mumbai – dhe më pas u vendos në Britani, u përball me kërcënime me vdekje kur botoi romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa myslimanë thanë se përmbante pjesë blasfemuese.
Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.
Në vitin 1989 ish-udhëheqësi i Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një dekret fetar, ku bëhej thirrje për vrasjen e zotit Rushdie.
Hitoshi Igarashi, përkthyesi i romanit në gjuhën japoneze, u vra me thikë në vitin 1991.
Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga qeveria e Iranit për sulmin ndaj shkrimtarit, por disa gazeta iraniane të linjës së ashpër shprehën lavdërime për sulmuesin e tij.
Ali Tehfe, kryebashkiak i Yarounit në Libanin jugor, tha se Matar ishte djali i një banori të këtij qyteti. Prindërit e të dyshuarit emigruan në Shtetet e Bashkuara dhe ai lindi dhe u rrit atje, shtoi kryebashkiaku.
I pyetur nëse autori i sulmit ose prindërit e tij ishin të lidhur ose mbështesnin grupin e armatosur Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, kryebashkiaku tha se ai “nuk kishte asnjë informacion” mbi pikëpamjet e tyre politike.
(Zëri i Amerikës)