Gaza, 4 shtator 2022 – Islamistët e Hamasit në Rripin e Gazës ekzekutuan pesë palestinezë të dielën, dy prej tyre nën akuzat për spiunazh për llogari të Izraelit, veprimtari që sipas njoftimit të ministrisë së Brendshme datonin në vitin 2009 dhe 2015.
Ekzekutimet e kryera në agim, me varje apo me pushkatim, janë të parat të kryera në territoret palestineze që nga viti 2017.
Në deklaratën e ministrisë nuk jepeshin emrat e plotë të asnjërit nga personat e ekzekutuar, por thuhej se tre prej tyre ishin dënuar për vrasje.
Për dy personat e dënuar për spiunazh, të moshës 44 dhe 54 vjeç, në deklaratë thuhej se i kishin dhënë Izraelit informacione që kishin çuar në vrasjen e palestinezëve.
Zyra e kryeministrit izraelit, e cila mbikëqyr shërbimet e zbulimit të vendit, nuk pranoi të komentojë lidhur me këtë zhvillim.
“Ekzekutimet janë kryer pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore. Aktvendimet kanë qenë përfundimtare, të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe janë kryer pasi të gjithë të dënuarve iu janë dhënë të drejta të plota për t’u mbrojtur”, thuhej në deklaratën e ministrisë. Agjencia ‘Reuters’ nuk ka mundur ende të verifikojë pretendimet e deklaratës.
Grupet palestineze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë kritikuar dënimet me vdekje dhe i kanë kërkuar Hamasit dhe Autoritetit Palestinez, që gëzon një vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, t’i japin fund praktikës.
Presidenti Mahmoud Abbas thotë se fjala e fundit, nëse mund të kryhen ose jo ekzekutime, i takon ligjin palestinez. Por ai nuk ka pushtet real në Gaza.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut që kur Hamasi islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007, gjykatat kanë dënuar me vdekje me dhjetëra palestinezë dhe deri tani kanë ekzekutuar 27 vendime.
(Zëri i Amerikës)