Autoritetet e Kosovës po e testojnë qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit

Prishtinë, 8 gusht 2024 – Autoritetet në Kosovë të hënën testuan qëndrueshmërinë e urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se brenda dy tre ditësh do të publikohet një raport përfundimtar rreth qëndrueshmërisë së kësaj ure.

Testimi i saj ndodh në një periudhë të paralajmërimeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e saj dhe kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.

“Sot jemi duke bërë testimet e qëndrueshmërisë të urës me ngarkesa, janë katër kamionë të ngarkuar dhe me aparaturën tjetër përcjellëse maten uljet në mënyrë që të konstatojmë nëse kjo urë është e qëndrueshme për qarkullimin e automjeteve apo jo”, tha zoti Durmishi, transmeton Zëri i Amerikës.

Paralajmërimet e autoriteteve të Kosovës për hapjen e urës dhe vendimi i së hënës për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri nxitën protesta të qytetarëve serbë dhe kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me vendimet e pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës dhe i bëri thirrje asaj t’i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha të enjten se blloku mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Nuk është vetëm Bashkimi Evropian. Në thelb, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë që të mos përfshihet në këtë varg hapash kundërproduktiv, negativ, të njëanshëm dhe të pa bashkërenduar. Shpresojmë se më në fund do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të shqyrtojmë se çfarë masash do të marrim nëse situata nuk ndryshon”, tha zëdhënësi Stano.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që këto çështje të trajtohen dhe zgjidhen në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, një proces i ngecur për një kohë të gjatë.

Aktualisht Ura e Ibrit, e cila e ndaj qytetin në dy pjesë, përdoret vetëm për lëvizjen e këmbësorëve. Hapja e saj ishte përfshirë në një marrëveshje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, por ajo nuk është zbatuar në tërësi.

(r.m.)