Autoritetet e Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin pikëkalimet kufitare me Serbinë

Prishtinë, 5 shtator 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës u bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe qytetarëve që jetojnë jashtë t’i shmangin pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre tranzit.

“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në deklaratën e MPJD të Kosovës.

Kjo thirrje u bë të mërkurën vonë pas paralajmërimeve të “Këshillit Organizativ për Bllokada” në Serbi se të premten, më 6 Shtator 2024, do të bllokojë rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën.

Kryetari i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka thënë se bllokada do të zgjasë derisa të rihapen komunat paralele serbe të mbyllura më 30 gusht nga autoritetet e Kosovës dhe serisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga pjesa veriore e Kosovës. Ai i ka bërë thirrje KFOR-it të marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, ka th՞në Rojeviq për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Sipas Rojeviqit, bllokadat do të vendosen në territorin e Serbisë dhe në to nuk do të përfshihen serbët e Kosovës.

“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk do të marrin pjesë në bllokada, që të mos ngacmohen nga Policia e Kosovës, por vetëm qytetarët nga territori i Serbisë, Mali i Zi dhe Republika Srpska”, ka thënë Rojeviq.

Mediet në Serbi kanë raportuar se pjesëmarrësit në bllokadë do të vijnë nga Beogradi dhe nga qytete të tjera të Serbisë me autobusë, në mënyrë të organizuar.

(r.m.)