Moskë, 10 janar 2023 – Autoritetet ruse njoftuan të hënën për disa hetime penale paralele kundër një aktori të famshëm që e ka kritikuar luftën në Ukrainë dhe ndaj një filantropi që e mbështet opozitën ruse. Këto janë ndër masat shtypëse më të fundit të autoriteteve ndaj disidentëve.
Komisioni Hetimor i Rusisë njoftoi se drejtuesi i tij, Alexander Bastrykin, ka urdhëruar fillimin e një hetimi penal ndaj aktorit rus të filmave dhe teatrit, Artur Smolyaninov, i cili u largua nga vendi pasi forcat ruse e sulmuan Ukrainën dhe vazhdimisht ka folur kundër luftës.
Sipas njoftimit, zoti Smolyaninov “ka bërë një seri deklaratash kundër Rusisë gjatë një interviste me një media perëndimore”.
Komisioni Hetimor nuk qartësoi se cilat prej veprimeve të zotit Smolyaninov përbëjnë shkelje penale, si dhe nuk qartësoi se çfarë akuzash do të ngrihen ndaj tij.
Intervista më e fundit e zotit Smolyaninov ngjalli zemëratën e mbështetësve të Kremlinit. Aktori i tha gazetës Novaya Gazeta Europe se nëse do t’i duhej të merrte pjesë në luftë, ai do të luftonte “në krahun e Ukrainës”. Ai tha se “për mua, kjo është në anën e vëllezërve të mi, që u sulmuan nga vëllezërit e mi të tjerë”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mirëpriti të hënën një hetim nga zotit Smolyaninov, duke vënë në dukje se është “e rëndësishme që organet tona përkatëse të mendojnë rreth këtyre komenteve”.
Hetimi ndaj zotit Smolyaninov vjen mes një retorike gjithnjë e më të ashpër për rusët që janë larguar nga vendi për shkak të luftës. Ligjvënësit kanë sugjeruar konfiskimin e pronave të atyre që janë larguar jashtë vendit, ose të rrisin taksat për ata që vazhdojnë të punojnë në distancë për kompanitë ruse. Të tjerët thjesht i kanë dënuar si “tradhëtarë”.
Gjithashtu, Ministria e Brendshme ruse futi filantropin e njohur Boris Zimin në listën ndërkombëtare të personave më të kërkuar, me akuza për mashtrim, njoftuan të hënën zyrtarët. Zoti Zimin ka financuar disa media të pavarura ruse, si dhe projekte për opozitarin e burgosur Alexey Navalny.
Zoti Zimin, për të cilin është njoftuar se u largua nga Rusia në vitin 2015, u vendos në shtator në regjistrin e Rusisë të personave që konsiderohen “agjentë të huaj”.
Zoti Navalny, kundërshtari më i fortë i Kremlinit, tha se ishte zoti Zimin që pagoi 79 mijë Euro për evakuimin e tij mjekësor në Berlin në gusht 2020, kur u helmua me një agjent nervor dhe ra në koma në qytetin siberian Omsk.
(Zëri i Amerikës)