Kiev, 31 mars 2022 – Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, “Energoatom”, njoftoi se shumica e trupave ruse që e kishin pushtuar centralin bërthamor të Çernobilit janë larguar nga aty dhe kanë shkuar drejt kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë.
“Konfirmohet informacioni se pushtuesit, të cilët e pushtuan termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet tjera në zonën përreth janë nisur në dy kolona drejt kufirit të Ukrainës me Republikën e Bjellorusisë”, thuhet në një deklaratë të “Energoatom”.
Sipas deklaratës, një numër i vogël i trupave ruse kanë mbetur në Çernobil, por nuk thuhet se sa.
Sipas “Energoatom”, ushtria ruse po përgatitet të largohet edhe nga qyteti Sllavutiç, ku jetojnë punëtorët e Çernobilit.
Trupat ruse e morën kontrollin e Çernobilit disa ditë pasi hynë në Ukrainë, por operacionet në uzinë vazhdoi t’i mbikëqyrte stafi ukrainas i uzinës.
Edhe pse impianti i Çrnobilit është dekomisionuar, ai ka nevojë për energji elektrike, për të fuqizuar sistemet e ftohjes së objektit të magazinimit të materialit bërthamor të konsumuar dhe sistemet tjera. Mbetjet bërthamore duhet të ftohen vazhdimisht, për të parandaluar rrjedhjen e rrezatimit.
Në fillim të kësaj jave, zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk kërkoi që forcat ruse që e pushtuan termocentralin të tërhiqen nga zona, pasi forcat e armatosura të Ukrainës paralajmëruan për rrezikun e shpërthimit të municioneve në vend.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, shkoi në Kiev më 29 mars për të biseduar me autoritetet ukrainase lidhur me “ndihmën teknike urgjente” që garanton sigurinë e objekteve bërthamore në Ukrainë.
(Sipas REL)