Tiranë, 2 qershor 2023 – Tridhjetë vjet pasi i burgosuri i fundit doli nga kampi famëkeq i Spaçit në zonën e Mirditës në Shqipëri, një institucion shtetëror njoftoi se ka në plan të hetojë fatin e së paku 44 të burgosurve të cilët, sipas informacionit arkivor të grumbulluar deri tani, u ekzekutuan dhe u varrosën në varre pa emër me qëllim që familjarëve t’u mohohej mundësia t’i bënin nderimet e fundit të ndjerit si dhe viktimës t’i mohohej një varrim dinjitoz.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit njoftoi të premten se ka ngritur një grup pune, përmes të cilit synohet të nisnin kërkimet në terren, pasi është mbledhur paraprakisht informacion arkivor mbi të vdekurit.
Autoriteti gjithsesi vuri në dukje se hetimi do të jetë i karakterit “administrativ”. Në Shqipëri, ndryshe nga shumë vende të tjera të Evropës Lindore, krimet e zyrtarëve komunistë nuk janë hetuar dhe prokuroritë shqiptare kanë bërë të ditur në mënyrë të përsëritur se nuk shohin arsye për të hetuar, pavarësisht se Bashkimi Evropian ka konsideruar si pengesë për integrimin e Shqipërisë, dështimin e prokurorive për të hapur hetime ex officio për rastet e shqiptarëve të zhdukur në kohën e Komunizmit.
“Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 (dyzetë e katër) ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje,” deklaroi Autoriteti në një njoftim për shtyp.
“Sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si: Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit, varroseshin nga personeli i burgut në vende jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre, në çdo rast që të marrin trupin; vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jug-perëndim të Burgut të Spaçit; si dhe në disa raste ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara,” shkruhet më tej në vendim.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit u krijua nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015 me një ligj të veçantë, me synimin e menaxhimit të arkivës së Sigurimit të Shtetit, policisë famëkeqe sekrete, krimet e së cilës mbeten të pahetuara dhe arkiva e së cilës vijon të mbetet sekret shtetëror, edhe pse tashmë kanë kaluar tre dekada nga rënia e komunizmit.
Parlamenti Evropian në projektrezolutën vjetore për Shqipërinë këtë vit i kërkoi autoriteteve shqiptare të deklasifikojë këto dokumente dhe të sigurojë aksesin e publikut të gjerë dhe studiuesve në to.