Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobit dot kompanitë edhe pse zbuloi se shtrenjtimi i bukës u organizua

Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës nuk ka qenë në gjendje t’i japë zgjidhje rritjes së çmimit të bukës duke i hapur kështu rrugën pesë kompanive importuese të miellit të rrisin fitimet.

Pak ditë më parë, ky institucion realizoi një seancë dëgjimore me kompanitë importuese të miellit dhe grupit dhe disa ministri për të parë nëse ishin realizuar detyrat e vendosura nga autoriteti një vit më parë. Pas analizës, rezultoi se asnjë nga institucionet shtetërore por edhe kompanitë private nuk kishin përmbushur asnjë detyrë. Sipas ligjit duhet që autoriteti të vendosë gjoba, më e rëndësishmja gjoba prej 3 përqind të xhiros për katër kompanitë importuese.

Por, burimet i thanë Top Channel se autoriteti u bllokua për shkak se tre anëtarë, të zgjedhur rishtas me propozim të partisë socialiste paraqitën kërkesë që të realizohet një analizim i çmimit të bukës në treg. Kjo është një detyrë që nuk i takon autoritetit të konkurrencës thonë burimet, por mund ta bëjnë tatimet. Për pasojë asnjë masë nuk është marrë për të penguar rritjen e çmimit të bukës me gati 20 lekë në rastin e bukës masive që përdoret nga shtresat më të varfra të popullsisë.

Nisma e tre anëtarëve të autoritetit ka bërë që ky institucion të mos marrë dot asnjë masë ndëshkuese. Burimet thonë se kompanitë importuese u paraqitën në seancë dëgjimore me të njëjtat argumente duke rritur dyshimin se bëhej fjalë për një bashkërendim mes tyre edhe për rritjen e çmimit të bukës në treg.

Ky autoritet tregoi se një vit më parë kishte konkluduar se në treg pesë kompanitë importuese kishin vendosur në mënyrë të përbashkët të caktonin çmimin e shitjes duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit duke shkelur kushtet për mbrojtjen e konsumatorit. Për këtë Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar ndërhyrje Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Pasi u lanë detyrat u vendos edhe një periudhë një vjeçare monitorimi por në përfundim të saj, autoriteti edhe pse konstatoi mospërmbushjen e detyrimeve nuk ishte në gjendje të miratonte asnjë gjobë

 
 

Top Channel